Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me vendimin që detyron bizneset të kalojnë menjëherë në tregun e lirë të energjisë.
OEK ka publikuar dokumentin e padisë që ka dorëzuar sot, duke theksuar se kjo padi është ngritur në mbrojtje të bizneseve, ekonomisë së vendit dhe qytetarëve si konsumatorë të fundit, kundër – siç e cilëson – një vendimi të padrejtë të ZRRE-së.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tri të tjera janë në proces të licencimit.
© SYRI.net