Dëshmitarit Krasniqi iu prezantua një dokument të cilin vetë ai ia kishte dhënë prokurorisë javën e kaluar.
“Ky dokument është përpiluar gjatë kohës së luftës përkatësisht në janar 1999 dhe për një kohë nuk e kam ditur kue kam dhe rastësisht e kam gjetur së bashku me disa dokumente të mia personale”, tha dëshmitari, duke shtuar se dokumenti mban emrin dhe mbiemrin e tij pasi që e ka përpiluar vetë.
Sipas prokurorisë, aty ishte një fletëdenoncim që dy policë nuk kanë mbushur detyrat që ka nxjerrë Drejtoria për Financat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që përcakton obligimin për qytetarët e Kosovës përkatësisht ata që jetonin jashtë vendit.
“Ashtu qysh shihet edhe nga paragrafi i parë i shkresës kishte të bënte me inkasimin e të hyrave për luftën e UÇK-së për mërgimtarët që nuk i kishin financuar në botën e jashtme, përkatësisht nuk i kishin shlyer obligimet atje dhe na ishte dhënë detyrë që t’i verifikonin dhe këto obligime t’i shlyenin në vend do të thotë në Kosovë. Po flas çdo herë për territorin e Brigadës 121 përkatësisht të Togut të Policisë Ushtarake të Brigadës 121”, tha dëshmitari.
Krasniqi shtoi se shuma e kontributeve ishte sipas shteteve dhe të gjitha ishin të specifikuara në vendim dhe varionte nga 1 mijë deri në 2 mijë marka ose franga zvicerane.
“Sipas detyrave që ishin të dhëna, në qoftë se mërgimtarët nuk i kishin kryer këto obligime dhe nuk i kanë dhënë në këtë rast në Kosovë, do të duhej t’i merrej pasaporta deri sa t’i shlyente obligimet”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se vendimin e kishin marrë nga Brigada dhe respektivisht nga komandanti i Brigadës 121. Tha se kishin informacione që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte pengesë për marrjen e të ardhurve nga mërgimtarët.
“Ashtu i kishim informatat atëherë”, tha dëshmitari Naser Krasniqi.
Gjatë fillimit të seancës, gjykatësi Smith III tha se më 23, ZPS-ja informoi se në një paketë të caktuar të materialeve ka nxjerr përkthimet e disa materialeve në anglisht, të cilat janë pranuar dhe morën numër prove. Gjithashtu, ai shtoi se u miratua një kërkesë e ZPS-së që një dokument i përkthyer të zëvendësohet me një tjetër të rishikuar.
Veç kësaj, gjykatësi njoftoi se ZPS-ja më 24 janar 2025 dorëzoi kërkesë sipas Rregullës 154 si dhe një kërkesë për dëshmi përmes video-lidhjes W00543. Mbrojtësi i viktimave nuk kishte kundërshtime për këtë.
Gjithashtu, as mbrojtësi i Kadri Veselit, Rodney Dixon i cili tha se nuk ka kundërshtime as për kërkesën sipas Rregullës 154 dhe as përmes video-lidhjes. Sidoqoftë ai tha se nuk janë përmbushur kriteret megjithëse nuk e kundërshton kërkesën për hir të procesit dhe rëndësisë së dëshmitarit.
Ai kërkoi që nëse ka ndonjë dëshmitar tjetër të tillë të informohet mbrojtja. Me parafolësin u pajtuan edhe ekipet e tjera të mbrojtjes.
Nryshe, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
© SYRI.net