Tre të vdekur e pesë të lënduar nga aksidenti në rrugën Mitrovicë-Pejë

Tre të vdekur e pesë të lënduar nga aksidenti në rrugën Mitrovicë-Pejë

23:06, 26/01/2025

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Pejë, konkretisht në fshatin Çubrel, ku tre persona kanë humbur jetën.

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë aksident janë përfshirë dy vetura, njëra prej të cilave ishte veturë zyrtare e Policisë.

Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën tre persona civil, ndërsa pesë persona të tjerë janë lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë.

Njësitet policore dhe stafi menaxhues kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Policia ka bërë të ditur se për rastin janë njoftuar edhe institucionet kompetente, përfshirë IPK-në dhe Prokurorin kompetent, të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes për të vazhduar hetimet.

Rastin e ka bërë të ditur, fillimisht kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

“Sapo u njoftuam për një aksident me fatalitet të ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, ku për pasojë tre persona kanë vdekur. Lutemi për të dhe për të aksidentuarit e tjerë”, ka shkruar Nura në Facebook.

Kryetari i Skenderajt iu ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco