Rreth 100 qytetarë serbë kanë mbajtur të premten në veri të Mitrovicës 15 minuta heshtje, në nderim të 15 personave që humbën jetën tragjikisht gati tre muaj më parë në Novi Sad, si dhe kundër represionit e torturave politike të regjimit aktual në Serbi.
Në këtë mënyrë ata u solidarizuan me qindra mijëra qytetarë, të cilët po marrin pjesë sot në protestën e gjithëmbarshme në Serbi në mbështetje të studentëve dhe që po luftojnë për një shoqëri më të drejtë dhe më të mirë.
Organizatori i këtij aksioni, Sërgjan Gjorgjeviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, në thirrjen që ka bërë një ditë më herët përmes rrjeteve sociale, ka inkurajuar bashkëqytetarët e tij për pjesëmarrje në këtë aksion, duke shkruar se: "Jeta është shumë e shkurtër për ta shënuar frika".
Në protestë u panë pankarta me mbishkrime "Më së vështiri është ta zgjosh njeriun, i cili bën sikur fle", “dora e përgjakur” dhe të ngjashme, ndërsa u dëgjuan brohoritjet "Vuçiq në burg".
Në anën tjetër, parlamenti studentor i të ashtuquajturit universitet i Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës, ka dalë kundër kësaj proteste. "Ai që ju mbështet, po na vret. Distancohuni nga Kurti dhe të tjerët që duan copëtimin e Serbisë", është titulli i ftesës për studentë nga ana e këtij parlamenti studentor.
Ndryshe, 15 persona patën humbur jetën tragjikisht më 1 nëntor të vitit të kaluar pas shembjes së çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad, dhe prej atëherë janë organizuar protesta çdo ditë anembanë Serbisë, duke kërkuar kështu përgjegjësi për rënien e çatisë, ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin ndaj studentëve, si dhe përfundimin e represionit dhe torturave politike të regjimit aktual në Serbi./ Kosova Press.
© SYRI.net