Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje për dialogun strategjik që do të finalizohet shumë shpejtë.
Këtë e konfirmoi edhe zëvendsekretari amerikan i Shtetit për menaxhimin dhe resurset, Richard R. Verma në vizitën e tij në Kosovë. Por ky lajm, ka konfirmuar edhe një herë thellimin e hendekut gjithnjë e më shumë mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti.
Presidentja Osmani ka deklaruar të premten se ky rezultat është arritje e saj, sepse propozimin ia kishte bërë SHBA-së që në vitin 2021. Ajo e ka cilësuar “të arritur të jashtëzakonshme” marrëveshjen që do të finalizohet, por me ftohtësi e ka pritur kryeministri Kurti, i cili në takim me zyrtarin e lartë amerikan foli për dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti që prej aksioneve në veri, duke filluar me vendimin për heqjen e dinarit dhe aksionet e tjera, pa koordinim me aleatët, i ka prishur punët me SHBA-në. Ai rrallëherë është ftuar nëpër takime të larta dhe në disa raste është shmangur nga zyrtarët amerikanë që vizituan Kosovën gjatë vitit 2024.
Shkaku i kësaj prishjeje të marrëdhënieve, presidentja Osmani vazhdimisht është ftuar në SHBA dhe pati takime me zyrtarët më të lartë amerikanë edhe në Kosovë.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka thënë presidentja Osmani.
Duke njoftuar se ekipet e të dyjave vende do të takohen së shpejti për ta finalizuar këtë marrëveshje, Osmani ky dialog do të jetë një platformë që do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.
Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës nuk u pa entuziazmi që u shfaq nga Presidentja Osmani. Prioritet aty iu dha marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit.
“Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i falënderoi ShBA-të për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë”, u tha aty.
Kurti ka përmendur edhe dialogun me Serbinë. Ka thënë se Serbia vazhdon ta shkelë Marrëveshjen Bazike.
“Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kryeministri vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet të ketë thënë Kurti në takim.
Në paragrafin e njoftimit rreth marrëdhënieve dypalëshe u përmend edhe dialogu strategjik.
“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës” thuhet në njoftim.
Çka është Dialogu Strategjik?
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur Dialog Strategjik me shumë vende të botës dhe përmes tij synojnë forcimin e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta në çështje si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Me disa vende, SHBA synon që përmes tij të rrisë sigurinë dypalëshe, të nxisë inovacionin prosperitetin ekonomik dhe që të mbështesë vlerat e përbashkëta demokratike dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
SHBA ka Dialog Strategjik me vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Sllovenia, Italia, Greqia, Egjipti, Katari e të tjera. Ndërkaq, nga Ballkani Perëndimor, SHBA ka Dialog Strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia gjithashtu tenton të vendosë Dialogun Strategjik me SHBA-në.
Nga vendet e rajonit ishte Maqedonia e Veriut e para që vendosi Dialog Strategjik me SHBA-në më 2 qershor 2022. Në këtë datë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën një Dialog Strategjik në Uashington DC, i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh.
© SYRI.net