Për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar afër 50 fluturime gjatë dy ditëve të fundit, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa. Për pasojë numri i qytetarëve që detyrohen të presin gjatë nuk është i vogël, por megjithatë disa prej tyre thonë se e mirëkuptojnë situatën. Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron se mjegull do të ketë edhe gjatë ditës së nesërme (03.01.2025).
Kolona që janë të zakonshme në kryeqytet, këtë të enjte (02.01.2025) janë bartur në hyrje të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.
Mërgimtarët e ardhur në Kosovë për festën e Vitit të Ri dëshirojnë të kthehen në vendet ku jetojnë, por këtë po e kanë problem shkaku i mjegullës së dendur që ka përfshirë Kosovën.
Nga Aeroporti i thanë televizionit Dukagjini se këto dy ditë janë anuluar dhjetëra fluturime.
“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”.
Qytetarët që largoheshin nga Kosova, ata që vinin në vendin tonë, dhe familjarët që i prisnin dhe përcillnin, kryesisht pajtoheshin me faktin se mund të ketë anulime ose vonesa të udhëtimeve.
© SYRI.net