Në një intervistë të thellë me moderatoren Egla Xhemalaj, Sali Berisha ka ndarë mendimet e tij mbi zgjedhjet e jetës, dashurinë dhe përkushtimin familjar, duke theksuar rëndësinë e vlerave që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij. Ai ka reflektuar mbi atë se si zgjedhjet e vështira kërkojnë pranimin e pasojave dhe si dashuria në martesë është një akt i përhershëm i përkushtimit. Po ashtu, Berisha ka theksuar rolin e familjes shqiptare dhe solidaritetin që kjo ka ofruar, duke e konsideruar atë një forcë jetike për individin dhe shoqërinë.
Në një nga momentet më filozofike të bisedës, Berisha ka rënë dakord me Aristotelin, duke theksuar se zgjedhjet e vështira shpesh janë të ndara mes të mirës dhe të keqes, dhe se zgjedhja e duhur gjithmonë kërkon një përballje me pasojat. Ai ka shpërndarë një filozofi të thjeshtë por të thellë për dashurinë, duke e quajtur atë jo thjesht një ndjenjë që zbehet me kalimin e kohës, por një akt përjetësisht të freskët i zgjedhjes dhe përkushtimit ndaj një tjetri.
Në lidhje me familjen, Berisha ka treguar vlerësimin e tij për solidaritetin që është një nga karakteristikat më të forta të familjes shqiptare, duke theksuar se ky përkushtim është po aq i rëndësishëm në çdo shoqëri, pavarësisht kombit.
Biseda e plotë
Egla Xhemalaj: Aristoteli thoshte se ‘virtyti qëndron në mes’. A ka pasur momente kur keni menduar se zgjedhja e drejtë ishte pikërisht mes të mirës dhe së keqes? Cili ka qenë ai moment?
Sali Berisha: Zgjedhjet e vështira janë të tilla, në çdo zgjedhje të vështirë ti e di që do të kesh pasoja. Por e zgjedh për të pranuar pasojat sepse mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur.
Egla Xhemalaj: Z. Berisha, a mendoni ju se dashuria në një martesë është një ndjenjë që zbehet me kohën apo një akt i përhershëm zgjedhjeje dhe përkushtimi?
Sali Berisha: E dyta është më shumë se e para. E dyta është e vërteta.
Egla Xhemalaj: Përkushtimi?
Sali Berisha: Përkushtimi, miqësia, do të thotë... mendoj se sa më gjatë jeton me një njeri, aq më shumë e don, aq më shumë e çmon, aq më shumë e vlerëson. Ky është mendimi im.
Egla Xhemalaj: Kështu ka qenë edhe rrugëtimi juaj jetësor?
Sali Berisha: Po, kështu ka qenë edhe rrugëtimi im. Jam kjo kategori, besoj shumë te familja, besoj te e gjithë, e marr dhe e rikthej, solidariteti familjar është i një rëndësie të jashtëzakonshme për individin që kur lind. Dhe ne këtë kemi patur më shumë si shqiptarë se shumë gjëra na kanë munguar, por ne kemi patur solidaritetin familjar, mbështetjen në njëri-tjetrin, përkushtimin ndaj njëri-tjetrit, vëllai për vëllanë, motra për vëllanë, vëllai për motrën, për nënën, për djalin. Në këtë aspekt ne kemi patur një familje. Unë e vlerësoj shumë familjen shqiptare, por kështu janë në gjithë botën, nuk them se është vetëm shqiptarja.
EMISIONI I PLOTE:
© SYRI.net