Harry Kane mund të rikthehet një ditë në Premier League. Këtë bindje e ka shprehur ish-trajneri i tij te Tottenham, Tim Sherwood, i cili mendon se kapiteni i Anglisë ende dëshiron të luajë sërish në kampionatin anglez.
Kane është nën kontratë me Bayern Munich deri në qershor të vitit 2027 dhe në muajt e ardhshëm klubi gjerman pritet të intensifikojë bisedimet për rinovimin e marrëveshjes me sulmuesin 32-vjeçar.
Megjithatë, Sherwood beson se dëshira e lojtarit është një rikthim në ishull.
“Harry Kane dëshiron të rikthehet në Premier League”, deklaroi Sherwood në një intervistë.
Ish-futbollisti anglez e njeh mirë sulmuesin, pasi e ka drejtuar gjatë periudhës së tij si trajner i Tottenhamit në sezonin 2013-2014.
Sipas Sherwood, Kane dëshiron të luajë për një skuadër që ka mundësi reale për të fituar titullin e Premier League.
Ai nuk e përjashton mundësinë që destinacioni i ardhshëm të jetë pikërisht Tottenham, klubi ku sulmuesi u kthye në një ikonë.
“Nuk do ta përjashtoja Tottenhamin, aspak. Nëse gjërat fillojnë të shkojnë mirë dhe ata sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, atëherë kur Harry të jetë gati për t’u rikthyer, ai mund të dëshirojë të luajë sërish në Champions League me Tottenhamin”, u shpreh Sherwood.
Megjithatë, për momentin nuk ka sinjale konkrete se Kane po mendon largimin nga Bayern Munich.
Sipas raportimeve nga Gjermania, rinovimi i kontratës është një prioritet për sulmuesin anglez dhe marrëveshja varet kryesisht nga detajet financiare dhe kohëzgjatja e kontratës së re.
Gjithashtu, familja e Kane ndihet shumë mirë në Mynih, çka e bën më të lehtë vazhdimin e aventurës së tij me kampionët gjermanë.
Megjithatë, një rikthim i mundshëm në Premier League mbetet një skenar që vazhdon të diskutohet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: