Anthony Joshua do të rikthehet në ring këtë fundjavë, ku do të zhvillojë një duel përgatitor ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, në prag të supersfidës së shumëpritur me Tyson Fury-n.
Britaniku 36-vjeçar do të ngjitet në ring për herë të parë që nga aksidenti tragjik automobilistik i muajit dhjetor në Nigeri, ku humbën jetën dy anëtarë të ekipit të tij. Për Joshua-n, kjo do të jetë gjithashtu ndeshja e parë pas fitores ndaj ish-youtuberit Jake Paul, të cilin e mposhti me nokaut në Miami.
Tashmë, para se të përballet me Fury-n në fund të vitit 2026, Joshua do të testojë formën ndaj Kristian Prengës. Shqiptari, edhe pse më pak i njohur në arenën ndërkombëtare, ka një bilanc mbresëlënës me 20 fitore dhe vetëm një humbje, ndërsa të gjitha fitoret i ka arritur me nokaut.
Nga ana tjetër, Joshua numëron 29 fitore, 4 humbje dhe 26 triumfe me nokaut, duke mbetur një nga emrat më të mëdhenj të peshave të rënda.
Përballja Joshua–Prenga do të zhvillohet të shtunën, më 25 korrik, në Jeddah Superdome të Arabisë Saudite. Programi kryesor i mbrëmjes nis në orën 19:00 me orën shqiptare, ndërsa Joshua dhe Prenga pritet të hyjnë në ring rreth orës 23:45.
Sipas kompanive të basteve, Joshua konsiderohet favorit absolut për fitoren. Kuotat e vendosin britanikun me koeficient 1.03, ndërsa një sukses i Kristian Prengës vlerësohet me 29.00, duke e bërë shqiptarin “underdog” të madh të kësaj sfide.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Joshua do të përballet më pas me Tyson Fury-n në një duel spektakolar që pritet të zhvillohet në muajin nëntor në stadiumin “Wembley”, në atë që konsiderohet një nga ndeshjet më të mëdha të boksit britanik në vitet e fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: