Agjenti i Bastonit hap derën për largimin, mbrojtësi i Interit në listën e Mourinhos

Agjenti i Bastonit hap derën për largimin, mbrojtësi i Interit në listën e Mourinhos

21:43, 23/07/2026

E ardhmja e Alessandro Bastonit mund të marrë një kthesë të papritur gjatë kësaj vere. Agjenti i mbrojtësit të Interit, Tullio Tinti, ka lënë të hapur mundësinë e një transferimi, duke deklaruar se gjithçka do të varet nga oferta që mund të mbërrijë për klubin dhe lojtarin.

“Bastonit i kanë mbetur edhe dy vite kontratë me Interin. Ai i do këto ngjyra dhe aktualisht nuk po mendon të transferohet në një klub tjetër. Megjithatë, nëse në të ardhmen do të shfaqej një klub që do të kënaqte si Interin ashtu edhe lojtarin, atëherë mund të flisnim. Për momentin nuk ka asgjë konkrete”, u shpreh Tinti për “Sky Sport”.

Deklarata e tij është interpretuar si një sinjal i qartë se mbrojtësi italian nuk është i pashitshëm. Ndër klubet që ndjekin situatën është edhe Real Madridi, ku José Mourinho e ka vendosur Bastonin mes objektivave kryesorë për përforcimin e mbrojtjes.

Megjithatë, madrilenët nuk kanë bërë ende asnjë lëvizje konkrete. Drejtuesit e klubit spanjoll janë të fokusuar fillimisht te largimet nga skuadra, pasi vetëm pas një shitjeje mund të investojnë për një mbrojtës të ri ose një mesfushor, dy pozicionet që Mourinho kërkon të përforcojë.

Aktualisht, portugezi ka në dispozicion Konaten, Huijsenin, Rüdigerin dhe Asencion, ndërsa Éder Militão vazhdon rikuperimin nga një dëmtim i rëndë dhe pritet të rikthehet vetëm në fund të vitit. Për këtë arsye, një largim i mundshëm i Asencios do t’i hapte rrugën afrimit të Bastonit.

 

Nga ana tjetër, edhe Interi nuk e përjashton shitjen e mbrojtësit nëse mbërrin oferta e duhur. Klubi zikaltër e vlerëson kartonin e tij rreth 70 milionë euro, ndërsa sipas “Transfermarkt”, vlera e tregut të 27-vjeçarit është rreth 65 milionë euro.

Bastoni ka kontratë me Interin deri në vitin 2028 dhe përfiton rreth 5.5 milionë euro neto në sezon. Mbrojtësi është një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës milaneze, me tre tituj kampionë në Serie A, tri Kupa dhe Superkupa të Italisë, si edhe triumfin në Euro 2020 me kombëtaren italiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco