Peticioni për përjashtimin e Argjentinës nga Botërori thyen rekorde, mbi 23 milionë firma

Peticioni për përjashtimin e Argjentinës nga Botërori thyen rekorde, mbi 23 milionë firma

20:39, 23/07/2026

Një peticion i pazakontë, i krijuar gjatë Kupës së Botës 2026, ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke grumbulluar mbi 23.3 milionë firma dhe duke u kthyer në një nga peticionet më të firmosura në histori.

Nisma, e titulluar “Argentina Out”, lindi mes polemikave që shoqëruan paraqitjet e Argjentinës në turne. Autorët e peticionit akuzonin FIFA-n dhe gjyqtarët për favorizim të Lionel Mesit dhe kombëtares argjentinase, duke pretenduar se gara nuk ishte e barabartë.

Në tekstin e peticionit thuhej: “Pse duhet që pjesa tjetër e botës të vazhdojë të luajë kur fituesi është vendosur tashmë? Përjashtoni Argjentinën nga Botërori dhe jepuni të gjithëve një shans të drejtë.”

Ajo që fillimisht u pa si një iniciativë satirike ose protestë simbolike, mori përmasa të papritura. Sipas raportimeve, peticioni ka mbledhur 23,316,108 firma, duke iu afruar rekordit historik prej 24 milionë firmash, që mbahet nga peticioni “Jubilee 2000”, i nisur në vitin 1997 për anulimin e borxheve të vendeve më të varfra në botë.

Megjithatë, FIFA nuk e mori në konsideratë kërkesën dhe nuk ndërmori asnjë veprim ndaj Argjentinës. Organizatorët e peticionit vendosën ta mbyllnin nismën me një dozë humori, duke shkruar: “FIFA na injoroi, por Spanja e mbajti premtimin. Faleminderit, Spanjë.” Kjo ishte një referencë ironike ndaj finales së Botërorit, ku Spanja mposhti Argjentinën dhe fitoi titullin e kampionit të botës.

Edhe pse peticioni nuk pati asnjë efekt praktik, ai u bë një fenomen në internet dhe pasqyroi polemikat e shumta që shoqëruan rrugëtimin e Argjentinës në Botërorin 2026.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco