Federata Italiane e Futbollit ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me drejtuesit e klubeve të Serisë A për të diskutuar të ardhmen e Kombëtares dhe projektin e rilindjes së futbollit italian. Në selinë e Lega Serie A në Milano u zhvilluan bisedime mes presidentit të FIGC, Giovanni Malagò, drejtorit teknik, Paolo Maldini, dhe këshilltarit Leonardo.
Tre drejtuesit prezantuan planet e reja për zhvillimin e futbollit italian, me fokus jo vetëm te Kombëtarja A, por edhe te ekipet e moshave. Pas takimit, Maldini dhe Leonardo dolën në konferencë për shtypin, ku folën edhe për procesin e zgjedhjes së trajnerit të ri të Italisë.
Emri kryesor në listën e FIGC mbetet ai i Pep Guardiolës. Maldini konfirmoi se federata ka pasur kontakte me trajnerin spanjoll dhe se po pritet vendimi përfundimtar i tij.
“Ne presim personin që duam. Nuk është vetëm çështje emri, por rëndësi ka projekti”, u shpreh Maldini, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e trajnerit lidhet me një vizion afatgjatë për futbollin italian.
Gjatë konferencës u zbulua gjithashtu se FIGC ka kontaktuar edhe Carlo Ancelotti-n, por tekniku i Real Madridit nuk është aktualisht zgjidhja kryesore për pankinën e Italisë.
Përveç Guardiolës dhe Ancelottit, pritet që të ketë edhe emra të tjerë në garë, por drejtuesit e federatës duket se duan të presin vendimin e trajnerit katalanas përpara se të marrin një vendim final.
Giovanni Malagò deklaroi se njoftimi për trajnerin e ri mund të bëhet në mbledhjen e Këshillit Federal më 28 korrik.
“Interesi është që ta zgjedhim trajnerin sa më shpejt, por është e rëndësishme të bëjmë të gjitha vlerësimet e duhura përpara vendimit. E marta është një datë e mundshme, por para saj mund të dalin edhe emra të tjerë”, tha Malagò.
Ndërkohë, projekti i ri i FIGC synon të krijojë një strukturë të unifikuar, ku drejtoria teknike do të përcaktojë linjën si për Kombëtaren A, ashtu edhe për ekipet e të rinjve, me metoda të përbashkëta në të gjithë zinxhirin e futbollit italian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: