Mesfushori kosovar, Dardan Morina, është zyrtarisht futbollisti më i ri i Lokomotivës së Zagrebit. Talenti 20-vjeçar është transferuar te klubi kroat pas largimit nga Dukagjini i Klinës, duke nisur një aventurë të re në futbollin evropian.
Lokomotiva e Zagrebit ka njoftuar përmes kanaleve zyrtare afrimin e Morinës, duke e cilësuar atë si një nga talentët më premtuese të brezit të ri në mesfushë.
“Mesfushori i talentuar 20-vjeçar Dardan Morina ka nënshkruar kontratë profesionale me klubin tonë. Ai është pjesë e Kombëtares së Kosovës U21 dhe karakterizohet nga teknika e shkëlqyer, cilësia në pasimin final dhe aftësia për të krijuar raste për shokët e skuadrës”, thuhet në njoftimin e klubit kroat.
🔵⚪️ DOBRODOŠAO, DARDAN! ⚪️🔵
— NK Lokomotiva Zagreb (@NKLokomotiva) July 23, 2026
Novo pojačanje za vezni red! Talentirani 20-godišnji vezni igrač Dardan Morina potpisao je profesionalni ugovor s Lokomotivom! 🖊️⚽️
Dobrodošao u plavo-bijelu obitelj, Dardane! 💙🤍
⚽️ pic.twitter.com/chdrlfJ2Yc
Vetë Morina është shprehur i lumtur për mundësinë që i është dhënë dhe premton maksimumin për të justifikuar besimin e drejtuesve të Lokomotivës.
“Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mundësinë që më është dhënë për të qenë pjesë e këtij klubi. Që nga bisedat e para kuptova se njerëzit këtu besojnë tek unë dhe kjo ka shumë rëndësi për mua. Kam ardhur me dëshirë të madhe për të treguar vlerat e mia dhe për të dhënë maksimumin në çdo stërvitje dhe ndeshje”, deklaroi mesfushori kosovar.
Morina theksoi gjithashtu se kalimi në kampionatin kroat përbën një sfidë të rëndësishme në zhvillimin e tij.
“Liga e Kroacisë është një kampionat me shumë cilësi dhe do të jetë një sfidë e mirë për mua. E di që Lokomotiva është një skuadër me shumë vlera, që çdo sezon arrin rezultate të mira, ndaj jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh ai.
Me këtë transferim, Dardan Morina bëhet një tjetër futbollist i ri nga Kosova që kërkon të ndërtojë karrierë jashtë vendit, në një kampionat që ka nxjerrë shumë talente të njohur ndër vite.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: