Luka Modriç dhe Milani do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm. Klubi kuqezi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me mesfushorin kroat, i cili do të qëndrojë në “San Siro” deri më 30 qershor 2027.
Lajmi pritej prej ditësh, ndërsa tashmë është bërë zyrtar nga vetë klubi italian. Milani ka vlerësuar kontributin e madh të Modriçit që prej mbërritjes së tij, duke theksuar eksperiencën dhe cilësinë që ai ka sjellë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
“AC Milan njofton se Luka Modriç ka firmosur një kontratë për një sezon tjetër, deri më 30 qershor 2027. Një pikë referimi për mesfushën kuqezi që nga ardhja e tij, Luka ka ditur të vendosë eksperiencën dhe cilësinë e tij në shërbim të skuadrës”, thuhet në komunikatën e klubit.
Mesfushori 40-vjeçar, një nga futbollistët më të mëdhenj të brezit të tij dhe fitues i Topit të Artë në vitin 2018, do të vazhdojë të mbajë fanellën me numrin 14.
Në sezonin e kaluar, Modriç regjistroi 37 paraqitje me Milanin dhe shënoi 2 gola, duke u kthyer shpejt në një lider të rëndësishëm të skuadrës. Me rinovimin e ri, kroati synon të ndihmojë kuqezinjtë për të arritur objektiva të rinj dhe për të luftuar për trofe në sezonin e ardhshëm.
Milani siguron kështu vazhdimësinë e një prej mesfushorëve më të kompletuar në historinë e futbollit, i cili vijon të japë kontributin e tij në nivele të larta edhe në fazën e fundit të karrierës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: