Vinicius thyen heshtjen pas eliminimit të Brazilit: Kërkoj falje dhe do të luftoj për ta rikthyer Brazilin në majë

Vinicius thyen heshtjen pas eliminimit të Brazilit: Kërkoj falje dhe do të luftoj për ta rikthyer Brazilin në majë

18:49, 10/07/2026

Disa ditë pas eliminimit të Brazilit në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 nga Norvegjia, Vinicius Junior ka reaguar për herë të parë përmes një mesazhi drejtuar tifozëve të kombëtares.

Sulmuesi i Real Madridit, i cili u vu në qendër të vëmendjes edhe për vendimin për të mos gjuajtur penalltinë, publikoi në Instagram një fotografi bardhezi të shoqëruar me një mesazh të gjatë ku shprehu zhgënjimin e tij.

"Pas pothuajse katër vitesh, e gjej përsëri veten duke menduar se çfarë të shkruaj pas zhgënjimit të një Botërori. Kam parë kaq shumë njerëz që më kanë mbështetur dhe që kanë ndarë me mua ëndrrën tonë. Do të ishte e padrejtë të qëndroja në heshtje. Por kisha nevojë për disa ditë për të reflektuar", shkroi Vinicius.

"Kishim një skuadër për të shkuar shumë më larg"

‘Ylli’ brazilian foli për dhimbjen e eliminimit të parakohshëm dhe për përgatitjet e mëdha që kishte bërë për këtë kompeticion.

"Të veshësh fanellën e kombëtares është krenaria më e madhe e jetës sime dhe të eliminohesh në fazën e 1/8-ave është një ndjenjë e vështirë për t'u shpjeguar. E di sa shumë jam përgatitur, sa i përqendruar kam qenë dhe sa shumë e dëshiroja këtë rezultat për ju dhe për familjen time. Frustrimi është i madh. Kishim një grup mjaft të fortë për të shkuar shumë më larg dhe nuk ia dolëm", u shpreh sulmuesi.

Brazilianët u eliminuan nga Norvegjia pas një turneu që përfundoi më herët nga sa pritej, pavarësisht pritshmërive të mëdha ndaj një prej skuadrave më të suksesshme në historinë e futbollit botëror.

Premtimi për të ardhmen

Në fund të mesazhit të tij, Vinicius iu drejtua tifozëve të "Seleçaos" duke premtuar se do të vazhdojë të luftojë për rikthimin e Brazilit në majën e futbollit botëror.

"Kërkoj falje dhe do të vazhdoj të luftoj për ëndrrën tonë për ta rikthyer Brazilin në majë të botës", përfundoi ai.

Me këtë mesazh, Vinicius mbylli reagimin e tij pas një prej zhgënjimeve më të mëdha të karrierës së tij me fanellën e kombëtares.


© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco