Barcelona po përgatitet të bëjë një ofertë të re prej 130 milionë eurosh për sulmuesin e Atlético Madridit, Julián Álvarez, menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës. Lajmi raportohet nga Diario Sport.
Sipas raportit, drejtuesit e klubit katalanas e konsiderojnë këtë si ofertën e tyre përfundimtare dhe nuk kanë ndërmend ta rrisin në 150 milionë euro, shumë që Real Madridi kishte ofruar muajin e kaluar, por që u refuzua menjëherë nga Atlético.
Barcelona ka zgjedhur që negociatat t'i shtyjë deri në përfundim të Botërorit, për t'i dhënë kohë klubit madrilen të gjejë një zëvendësues për sulmuesin argjentinas.
Një nga faktorët që i jep optimizëm Barcelonës është dëshira e vetë Julián Álvarez-it për t'u transferuar në "Camp Nou" gjatë kësaj vere.
Klubi katalanas beson se pas mbylljes së Kupës së Botës do të ketë zhvillime të rëndësishme në bisedimet mes palëve.
Edhe pse paraqitjet e Álvarez-it me Argjentinën në këtë Botëror nuk kanë qenë në nivelin më të lartë, Barcelona vazhdon ta konsiderojë atë si sulmuesin ideal për projektin afatgjatë të skuadrës, veçanërisht pas largimit të Robert Lewandowski-t.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: