Jannik Sinner vazhdon rrugëtimin e tij në Wimbledon 2026. Tenisti italian siguroi për herë të tretë në karrierë një vend në gjysmëfinalet e turneut londinez, duke vazhduar mbrojtjen e titullit të fituar vitin e kaluar.
Në çerekfinale, numri një i botës mposhti gjermanin Jan-Lennard Struff pas një beteje të fortë, por të kontrolluar, me rezultatin 3-0 në sete: 7-5, 7-6, 6-3. Sfida zgjati 2 orë e 34 minuta, ku Sinner tregoi edhe një herë forcën e tij në shërbim dhe qetësinë në momentet vendimtare.
Dy setet e para ishin shumë të balancuara. Të dy tenistët u mbështetën te shërbimi i tyre, ndërsa Struff arriti t’i rezistonte presionit të Sinnerit, i cili realizoi 16 ‘ace’ gjatë ndeshjes. Baraspesha vazhdoi deri në rezultatin 5-5, kur italiani rriti nivelin në kthimet e topit dhe fitoi break-un vendimtar për të mbyllur setin e parë 7-5 pas 47 minutash.
Edhe seti i dytë ishte i luftuar. Struff pati mundësinë të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes, pasi fitoi një pikë seti dhe kaloi në avantazh 6-5, por Sinner reagoi, e çoi setin në ‘tiebreak’ dhe aty tregoi superioritetin e tij, duke fituar 7-4.
Humbja në ‘tiebreak’ i shoi shpresat e fundit të Struff-it. Në setin e tretë, Sinner e rriti ritmin, realizoi break-un dhe mori kontrollin e plotë të sfidës. Ai e mbylli ndeshjen në shërbimin e tij, duke shfrytëzuar pikën e parë të ndeshjes.
Në gjysmëfinale, Sinner do të përballet me fituesin e duelit mes Novak Djokovic dhe Félix Auger-Aliassime. Për italianin kjo do të jetë gjysmëfinalja e dhjetë në turnetë Grand Slam dhe një tjetër hap drejt mbrojtjes së kurorës së Wimbledonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: