Eliminimi i Portugalisë nga Spanja në 1/8-at e finales së Botërorit 2026 i dha fund edhe një tjetër edicioni zhgënjyes për Cristiano Ronaldon në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Kapiteni portugez zhvilloi ndeshjen e nëntë në karrierë në fazat vendimtare të një Botërori, por edhe këtë herë nuk arriti të shënonte apo të jepte asist. Goli i vetëm i tij në fazën me eliminim direkt të këtij edicioni erdhi nga pika e penalltisë ndaj Kroacisë në 1/16-at e finales, fazë e re e futur në Botërorin me 48 skuadra, e cila nuk konsiderohet pjesë e statistikave tradicionale të 1/8-at së finales e më tej.
Në gjashtë Botërorë të zhvilluar, Ronaldo vetëm dy herë ka kaluar 1/8-at e finales. Në vitin 2006, kur luante si anësor, Portugalia e mbylli turneun në vendin e katërt, ndërsa në Botërorin 2022 përfaqësuesja portugeze arriti deri në çerekfinale, megjithëse Ronaldo ishte zëvendësues në dy ndeshjet me eliminim direkt, ku Gonçalo Ramos ishte zgjedhur titullar. Në Botërorin 2014, Portugalia u eliminua që në fazën e grupeve.
Në total, Ronaldo ka grumbulluar 659 minuta në nëntë ndeshje të fazave me eliminim direkt të Botërorit pa shënuar gol apo dhënë asist. Nga këto nëntë takime, Portugalia fitoi vetëm dy brenda 120 minutave, ndaj Holandës në vitin 2006 dhe ndaj Zvicrës në vitin 2022, pikërisht ndeshjet në të cilat ai luajti më pak minuta. Përveç këtyre, luzitanët barazuan një herë me Anglinë, duke u kualifikuar me penallti, dhe u mposhtën në gjashtë sfida.
Megjithatë, pavarësisht eliminimit, Cristiano Ronaldo largohet nga Botërori 2026 me rekorde të reja. Ai kaloi Eusébion dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Portugalisë në fazat finale të Kupës së Botës. Gjithashtu, u bë futbollisti i katërt më i moshuar që ka luajtur ndonjëherë në një fazë finale të Botërorit dhe lojtari i dytë më i moshuar që ka shënuar gol në këtë kompeticion.
© SYRI.net