Faza e 1/8-ave të Botërorit 2026 mbyllet me një përballje interesante mes Zvicrës dhe Kolumbisë (ora 22:00), dy kombëtare që synojnë të shkruajnë histori duke siguruar një vend në çerekfinale.
Zvicra vjen në këtë sfidë pas fitores bindëse 2-0 ndaj Algjerisë, duke regjistruar tri fitore radhazi në një Botëror për herë të parë në histori.
Skuadra e drejtuar nga Murat Jakin po kalon një moment shumë pozitiv, pasi numëron shtatë ndeshje pa humbje, me katër fitore dhe tri barazime.
Një tjetër statistikë që i jep besim zviceranëve është fakti se në asnjërën prej këtyre takimeve nuk kanë pësuar gol para minutës së 50-të.
Në anën tjetër, Kolumbia kaloi Gananë me rezultatin minimal 1-0, duke regjistruar ndeshjen e tretë radhazi pa pësuar gol në këtë Botëror.
Megjithatë, edhe pse "Los Cafeteros" krijojnë shumë raste, efikasiteti para portës mbetet shqetësues dhe trajneri pret më shumë saktësi nga sulmuesit në këtë sfidë vendimtare.
Historia e përballjeve është lehtësisht në favor të Kolumbisë, e cila ka fituar dy nga katër ndeshjet e zhvilluara mes dy kombëtareve dhe triumfoi 2-0 edhe në Botërorin e vitit 1994. Megjithatë, kolumbianët nuk kanë fituar asnjë nga tri përballjet me skuadra evropiane në këtë edicion të Botërorit.
Te Zvicra, lojtari për t’u ndjekur është Johan Manzambi, i cili ka kontribuar në pesë gola në këtë turne, me tri realizime dhe dy asistime.
Për Kolumbinë, arma kryesore mbetet Jhon Arias, autor i tri golave në pesë ndeshjet e fundit me kombëtaren.
Sa u përket mungesave, Zvicra ka në dyshim Luka Zhakéz dhe Denis Zakarian, ndërsa te Kolumbia ekzistojnë shqetësime për gjendjen e Jhon Kordobës, i cili u dëmtua në sfidën ndaj Ganës.
Duke parë forcën mbrojtëse të të dyja skuadrave, pritet një ndeshje shumë e luftuar dhe me pak gola, ku një detaj i vetëm mund të vendosë ekipin që do të vazhdojë ëndrrën në Botërorin 2026.
© SYRI.net