Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Ylli argjentinas vendosi rekorde të reja në Kupën e Botës 2026 gjatë ndeshjes së Argjentinës ndaj Kepit të Gjelbër, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Me paraqitjen në këtë takim, Messi u bë lojtari i parë në historinë e Kupës së Botës që arrin në kuotën e 30 ndeshjeve të zhvilluara në këtë kompeticion. Rekordi historik u përshëndet edhe nga FIFA, e cila publikoi një mesazh urimi në rrjetin social X për kapitenin e Argjentinës.
Por mbrëmja e tij nuk u mbyll vetëm me këtë arritje. Messi gjeti edhe rrugën e rrjetës, duke e çuar në 20 numrin e golave të shënuar në Kupat e Botës. Me këtë realizim, ai e forcoi edhe më tej vendin e parë si golashënuesi më i mirë në historinë e këtij turneu.
Një tjetër rekord i jashtëzakonshëm iu shtua koleksionit të tij. Messi u bë futbollisti i parë që arrin të shënojë në tetë ndeshje radhazi të Kupës së Botës, një seri që dëshmon vazhdimësinë dhe ndikimin e tij vendimtar në arenën më të madhe të futbollit.
Në moshën 39-vjeçare, kapiteni i Argjentinës vazhdon të jetë protagonisti kryesor i "Albiceleste"-s dhe të thyejë rekorde që deri pak vite më parë dukeshin të paarritshme. Çdo paraqitje e tij në Botëror po pasuron më tej një karrierë legjendare, duke e bërë emrin e Lionel Messit gjithnjë e më të paharrueshëm në historinë e futbollit.
© SYRI.net