Nga Artan Cena - 11:28, 03/07/2026
Ka disa data që nuk i përkasin vetëm kalendarit, por janë kthyer në pika referimi historike, për të gjykuar të shkuarën dhe të ardhmen.
2 Korriku është një prej tyre.
Më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë kapërcyen muret e ambasadave në Tiranë, jo për të shkuar në vend të huaj, por për të dalë nga burgu i tyre mbi 45 vjeçar.
Ishte revolta e një populli që kishte kuptuar se liria nuk dhurohet nga pushteti, por duhej marrë. Ato mure simbolizonin kufirin mes një Shqipërie të mbyllur dhe ëndrrës europiane, rrëzimin moral të një regjimi që kishte humbur gjithçka përveç dhunës.
Shqiptarët besuan se me fundin e Partisë së Punës do të merrte fund edhe kultura e frikës dhe e pushtetit absolut, dhe se demokracia do të vinte qytetarin mbi shtetin.
Por 36 vite më vonë, 2 Korriku 2026 kthehet si pasqyrë e hidhur.
Në fasadë, Shqipëria është demokraci, ka “zgjedhje’, institucione, Kushtetutë.
Por demokracia nuk matet vetëm nga ligjet, por se si zbatohen ato nga qeveria, se si pushteti sillet pushteti me qytetarin.
Kur qeveria ka vendosur të kapë dhe kontrollojë çdo hallkë të shtetit, ku administrata identifikohet me partinë, ku kritika trajtohet si armike dhe jo si alternativë që mund të rregullojë diçka që nuk shkon, atëherë lind pyetja nëse ende kemi demokraci apo vetëm fasadën e saj.
Në Shqipëri Partia e Punës është largua vetëm si emër. Pasardhësja e saj, Partia Socialiste premtoi modernizim europian, por për shumë shqiptarë filozofia e pushtetit të PS-së është njësoj: përqendrim pushteti në pak duar dhe bindja se ai i përket atyre dhe jo popullit.
Prandaj 2 korriku 2026 nuk është thjesht një datë proteste, është simbolikë që kthen pas në kohë.
Sulmet e policisë ndaj qytetarëve tek parlamenti, dhuna e rëndë ndaj protestuesve, kanë risjellë në mendjen e njerëzve sërish pyetjen: për kë ekziston shteti, për qytetarin apo për pushtetin?
Nuk janë të njëjtat rrethana, por ndjenja që i shtyn qytetarët të kundërshtojnë buron nga i njëjti burim: bindja se shteti nuk shërben më interesat e tyre.
Ky është mësimi i madh i 2 Korrikut: regjimet nuk bien nga varfëria apo izolimi, por kur humbin besimin e qytetarëve, kur pushteti nuk prodhon më shpresë, por frikë.
Në 1990-n, shqiptarët luftuan një diktaturë të hapur.
Sot pushteti i Edi Ramës flet në emër të demokracisë, organizon zgjedhje, përdor gjuhën europiane, por ndërton një sistem kontrolli mbi jetën publike.
Një autoritarizëm i veshur me kostum demokratik.
2 Korriku duhet kujtuar jo vetëm si dita kur shqiptarët u hodhën mbi muret e ambasadave, por si dita kur një komb vendosi se liria vlen më shumë se bindja.
Sepse liria s'humbet, por zbehet ngadalë, nën justifikimin e stabilitetit dhe idenë se pushteti nuk duhet sfiduar.
2 Korriku 1990 dhe 2 Korriku 2026 lidhen nga i njëjti mesazh:
demokracia nuk është trashëgimi që duhet marrë si e fituar njëherë, por është si një lule që duhet ujitur çdo ditë, si një betejë që çdo brez duhet ta ribëjë, sa herë pushteti harron se sovrani është qytetari, jo qeveria.
© SYRI.net