Nga Kim Mehmeti - 14:56, 03/07/2026
Ja një përgjigje për ata që më pyesin pse i përkrah protestat rinore në Tiranë dhe që e kanë zbuluar se jam "spiun" i shpirtprishur:
I përkrah sepse jam i paguar nga Putini, nga ajatollahët e Iranit, nga Vëllazëria Myslimane dhe pak edhe nga greku.
Madje u mundova të marr ndonjë lek edhe nga Beogradi, por Vuçiqi më tha se ata e kanë qeverinë e vet në Tiranë, që e drejton vëllai i tij – Piktopri, andaj nuk kanë nevojë për shërbimet e mia.
Pra, ky jam unë, ai armiku nga Maqedonia, që shkon në Tiranë vetëm për të hedhur gurë mbi policët që e mbrojnë popullin, pra vetëm sa për ta acaruar atë polic dhe sa për ta nxitur që t'i marrë zvarrë protestuesit që "sulmojnë" Kuvendin e krimit dhe "Koalicionin e Qelbësirave".
Dhe pyetje të pakëndshme nuk më shtrojnë vetëm shqiptarët që e mbrojnë shqiptarinë nga unë, por edhe bashkëqytetarët e mi maqedonas.
Madje, ata më bëjnë të skuqem kur më thonë: "Nëse ne, maqedonasit e Maqedonisë Veriore, jemi ata që ju pengojmë të faktorizoheni politikisht, atëherë kush ju pengon që Kuvendin e mëmëdheut tuaj të mos e pastroni nga rrugaçëria e llojit të Taulantëve e Zegjineve dhe kush ju detyron që Shqipërinë ta lini në duart e Ramadurës?"
Dhe, i ngulfatur nga një turp i heshtur, por edhe i vendosur që me çdo kusht ta mbroj krenarinë shqiptare, u them: Popujt e vjetër, me traditë e kulturë të lashtë, herë pas here tregohen të pakujdesshëm ndaj fatit të vet, madje atë e lënë edhe qëllimisht në duart e kriminelëve dhe hajdutëve, që pastaj të shohin nëse pasardhësit e tyre do të dinë t'ia rikthejnë vendin pronarit të tij të vërtetë – popullit.
Pastaj vazhdoj të shpjegoj se, gjatë tridhjetë viteve të shkuara, ne, prindërit e kësaj rinie që proteston, jo se gabuam, por qëllimisht e lamë Shqipërinë në duart e "Aleancës së Qelbësirave", që sot t'i sprovojmë pasardhësit tanë nëse ata e kanë mjaftueshëm të fortë boshtin kurrizor etnik sa për t'ua marrë vendin nga duart narkodilerëve.
Kështu pra, unë herë ndihem i zënë ngushtë, sepse nuk kam si ta fsheh se jam "spiun i huaj", e herë ndihem i turpëruar, sepse nuk di si t'u përgjigjem atyre që më pyesin pse mëmëdheu im është bërë vend ku më të shpeshta janë vrasjet sesa dasmat dhe ku më lehtë gjen një vrasës me pagesë sesa një automekanik.
Por, megjithatë, ndihem krenar kur i shoh të rinjtë që protestojnë në Tiranë, sepse ata e shpërfaqin zërin dhe fytyrën më të bukur të krenarisë, të ndershmërisë, të dinjitetit dhe të guximit shqiptar.
Dhe, duke parë këtë rini që sot proteston nëpër qytetet e Shqipërisë, shpesh e pyes veten: Si është e mundur të jesh shqiptar e të mos krenohesh me këto protesta, të cilat janë ngjarja më e bukur që i ka ndodhur shqiptarisë dhe investimi më i madh strategjik që është bërë në Shqipërinë e periudhës paskomuniste?
© SYRI.net