Katër pjesë, shtesa të pafundme dhe polemika me Balogun: Botërori 2026 po ndryshon futbollin

Katër pjesë, shtesa të pafundme dhe polemika me Balogun: Botërori 2026 po ndryshon futbollin

17:40, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Botërori 2026 mund të mbahet mend si kompeticioni që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si e kemi njohur futbollin. Turneu i zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë nuk ka sjellë vetëm ndryshime rregullash, por një transformim të madh të lojës, duke e afruar gjithnjë e më shumë me modelet e sporteve amerikane.

Prej vitesh futbolli është përshtatur me teknologjinë, me përdorimin e VAR-it dhe me ndryshimin e rolit të arbitrave anësorë, por risitë e këtij Botërori kanë shkuar përtej pritshmërive. Përveç ndëshkimeve automatike për humbjen e kohës, zgjerimit të ndërhyrjeve të VAR-it edhe për goditjet nga këndi dhe kartonët e dytë të verdhë, si dhe ndëshkimeve për lojtarët që mbulojnë gojën gjatë bisedave me kundërshtarët, FIFA ka sjellë një mënyrë të re zhvillimi të ndeshjeve.

Një nga ndryshimet më të dukshme janë të ashtuquajturat “pushimet e hidratimit”. Dy ndërprerje të detyrueshme prej tri minutash secila po e ndajnë praktikisht një ndeshje në katër periudha prej rreth 22 minutash. Zyrtarisht, ky vendim është justifikuar me mbrojtjen e shëndetit të lojtarëve për shkak të temperaturave të larta, por ka shkaktuar kritika të shumta nga tifozët, trajnerët dhe specialistët.

Shumë prej tyre mendojnë se këto ndërprerje shërbejnë edhe si hapësira të reja reklamash për televizionet. Sipas analistit të S&P Global, Michael Johnson, një reklamë gjatë këtyre pushimeve në Botërorin 2026 mund të arrijë vlera të ngjashme me ato të “Super Bowl”, duke lëvizur nga 7 deri në 9 milionë dollarë.

Këto ndryshime kanë sjellë edhe një tjetër fenomen: shtesa shumë më të gjata dhe gola të shumtë në minutat e fundit. Në fazat me eliminim direkt të këtij Botërori, ende pa përfunduar 1/8-at e finaleve, janë shënuar tashmë gjashtë gola vendimtarë në kohën shtesë, ndërsa në total janë realizuar 31 gola pas minutës së 90-të. Ky numër është më i lartë se të gjithë golat e shënuar në shtesë gjatë fazave me eliminim direkt të të gjitha edicioneve të mëparshme të Botërorit të marra së bashku.

Por ndryshimet nuk kanë qenë vetëm teknike. Rasti i sulmuesit Folarin Balogun ka hapur një tjetër debat të madh. Futbollisti amerikan u lejua të luante pavarësisht një kartoni të kuq të marrë në ndeshjen e mëparshme, pasi pezullimi i tij u anulua pas një kërkese për rishikim. Vendimi erdhi pas ndërhyrjeve politike dhe deklaratave se nuk ishte e drejtë që një lojtar i rëndësishëm të humbiste një ndeshje të ardhshme për një ndëshkim të marrë më parë.

Balogun luajti titullar ndaj Belgjikës, ndërsa ky rast bëri që edhe Anglia të shqyrtojë mundësinë e një ankimi për përjashtimin e Jarell Quansah, me synimin që ai të jetë i gatshëm për çerekfinalen ndaj Norvegjisë.

Botërori 2026 po tregon se futbolli është në një fazë ndryshimi të madh. Pyetja që mbetet është nëse kjo metamorfozë do ta bëjë lojën më moderne dhe spektakolare, apo nëse do të largojë diçka nga identiteti që e ka bërë futbollin sportin më të dashur në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco