Nga Sonila Meço - 18:20, 06/07/2026
U bë bajat ky argumenti i zhvillimit të turizmit nëpërmjet urbanizimit të bregdetit sipas idesë së “Albanian Files”.
Edhe mijra faqe shtjellim me këtë logjikë nuk arrijnë të shpjegojnë se si zgjidhja ekonomiko-sociale për Shqipërinë e varfër është t’i dorëzosh bregdetin e tokën një modeli të pakontrolluar resortesh, kullash dhe marinash.
Në asnjë rresht të atij trilli delirant nuk jepet një e dhënë se sa vlerë prodhon për shoqërinë dhe Shqipërinë ky model.
Në ekonomi, zhvillim quhet rritja e produktivitetit, kapitali njerëzor, inovacioni dhe cilësia e institucioneve.
Nuk ekziston ekonomi e zhvilluar në botë, që të jetë bërë e pasur veç nga betoni. Ndërtimi është pasojë e zhvillimit, jo shkaku i tij.
Shumë vende europiane aë kryeministri na i përmend si shembuj që ndërtojnë me ritme të shpejta, e kanë bërë, sepse ekonomia e tyre prodhonte vlerë diku tjetër. Fabrikat, universitetet, laboratorët dhe eksportet paguajne betonin, jo e kundërta.
Ka pasur ekonomi që për periudha të caktuara u mbështetën fort tek ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, si p.sh. Spanja para krizës së vitit 2008 apo Irlanda gjatë flluskës së pasurive të paluajtshme. Rezultati ishte një bum artificial që u pasua nga krizë e thellë financiare.
Edhe rasti i vendeve Arabe, që citohet shpesh edhe nga kryeministri, nuk është zhvillim nga betoni, por një model që mbështetet tek transporti global, aviacioni, financat, tregtia dhe turizmi ndërkombëtar, portet dhe logjistika. Kullat janë kartolina e modelit, jo motori i tij ekonomik.
Betoni nuk prodhon vetvetiu pasuri, por i jep formë pasurisë që është krijuar diku tjetër. Pse? Sepse kullat nuk eksportojnë, nuk patentojnë.
Një apartament i pabanuar nuk rrit produktivitetin kombëtar. Ku është krijuar pasuria që financon idetë e betonin e “Albanian Files”?
Nëse Shqipëria mbështetet kryesisht tek shitja e tokës, apartamenteve dhe vijës bregdetare, ajo rrezikon të kalojë nga një ekonomi që krijon vlerë, në një ekonomi që shndërron në fitim asetet ekzistuese. Si të thuash ky është dallimi mes një familjeje që jeton nga paga e saj dhe një familjeje që jeton duke shitur mobiljet e shtëpisë.
Resortet, kullat dhe marinat gjenerojnë kryesisht fitime nga toka dhe prona, jo nga krijimi i industrive të reja, teknologjisë apo eksporteve me vlerë të shtuar.
Ndërtimi punëson shumë gjatë fazës së kantierit, por pasi projekti mbaron, ekonomia e krijuar rreth tij është zakonisht me paga të ulëta, kamerierë, roje, mirëmbajtje, shërbime sezonale. Një vend nuk bëhet i pasur duke u kthyer në staf shërbimi të pronave luksoze. Vendet e pasura prodhojnë teknologji, farmaceutikë, industri, kërkim shkencor dhe shërbime me produktivitet të lartë.
Shqipëria e Albanisn Files po përdor si motor zhvillimi shitjen e vijës bregdetare dhe të hapësirave publike, duke shitur kësisoj një aset të pakthyeshëm për të financuar konsumin e sotëm. Shqipëria ngjan minierë e privatizuar.
Vetë libri tregon një sistem ku projektet, kontaktet dhe vendimmarrja kalojnë përmes një numri shumë të kufizuar aktorësh dhe marrëdhëniesh personale.
Pronarë të dyshimtë, vendime gjyqësore e kadastrale korruptive. Askund transparencë, veç zhvatje.
Por vijojme të shfletojmë, në shumë raste krijohen qytete me dy shpejtësi, rezidenca luksoze bosh dhe qytetarë që nuk arrijnë të blejnë një apartament në qytetin e tyre. Apartamente, vila, beton.
Kush do t’i blejë?
Kush do t’i përdorë?
Nga vijnë kapitalet?
Janë pyetjet më logjike, që sa rrekemi t’i bëjmë, pagëzohemi si primitivë kundër zhvillimit.
Janë mu bash pyetjet që ndajnë zhvillimin nga flluska dhe investimin nga lavatriçja financiare.
Zhvillimi ndërton ekonomi që prodhojnë pasuri, ndërsa Albanian Files ndërton pasuri që kanë nevojë të justifikojnë origjinën e tyre.
Si mund të quhet zhvillim ndërtimi i 523 projekteve të betonit, kur nuk kemi ende sisteme moderne të trajtimit të mbetjeve? E dimë ç’ndodhi me inceneratorët.
Si mund të quhet modernizim ndërtimi i qyteteve luksoze, kur shumë qytete ekzistuese nuk kanë ujë 24 orë, kanalizime apo transport publik funksional?
The Albanian Files është më shumë një akt-akuzë sesa një album arkitekture. Një model vendimmarrjeje ku projektet e mëdha urbane nuk lindin nga tregu i hapur, konkurrenca apo planifikimi institucional, por nga një rrjet informal marrëdhëniesh ku kryeministri sillet si kryetar tribal.
Një krenari delirante, me koracë arrogance e ka frymëzuar kryeministrin gjer në skaj të fantazisë, si para një tabula rasa. Si një artist mediokër para një kanavace bosh, ku për të kompensuar mungesën e talentit, i duhet ta blejë vëmendjen, duke shndërruar qytetarët në figurina në një maket arkitektësh. “Kryearkitekti” sillet si pronari i territorit dhe autori i historisë, kur Shqipëria është një organizëm i gjallë, me kujtesë, interesa, ekuilibra socialë dhe kufij ekologjikë.
Po si nuk doli një herë të vetme të sqarojë “mirëqenien” e popullit te vet prej projekteve e ideve:
Sa furnitorë shqiptarë përdorin projektet?
Sa biznese lokale integrohen në zinxhirin e vlerës?
Sa vende pune me paga të mira krijohen?
Sa para mbeten në vend?
Sa investohet në infrastrukturë publike dhe kapital njerëzor?
Nga vjen financimi?
Në “Albanian Files”, krenarinë delirante të një aventurieri me pushtet absolut, nuk ka një faqe te vetme ku të dallosh një vend që përdor turizmin për të pasuruar qytetarët e vet.
Çdo kapitull dëshmon vendin që shet bregdetin e burimet e vrya për të financuar me një Zot e di çfarë mungesën e një modeli zhvillimi.
Turizmi është një motor i shkëlqyer ekonomik, por asnjë makineri zhvillimi nuk fluturon me një motor të vetëm. E sidomos kur furnizohet me karburant të dyshimtë. E sidomos kur piloti të thotë me përgjërim: “besoje vllain tat”.
© SYRI.net