Nga Ilir Kalemaj - 12:25, 06/07/2026
Samiti i radhës i NATOs, ku krerët e shteteve të vendeve anëtare do mblidhen si përvit, zhvillohet më 7–8 korrik 2026 në Kompleksin Presidencial në Ankara. Është samiti i 36-të i NATO-s dhe i dyti i organizuar nga Turqia pas atij të Stambollit në 2004. Deklarata përfundimtare është negociuar tashmë nga të 32 aleatët, përfshirë SHBA-në si vendi me peshën kryesore politike dhe ushtarake në Aleancë dhe është miratuar në nivel ambasadorësh. Krerëve të shteteve dhe qeverive u mbetet vetëm ta miratojnë formalisht më 8 korrik. Përmbajtja është rikonfirmimi i "angazhimit të hekurt" ndaj mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5, cilësimi i Rusisë si "kërcënim afatgjatë" për sigurinë euro-atlantike, dhe një premtim prej 70 miliardë eurosh ndihmë ushtarake për Ukrainën në 2026 me "nivele të paktën ekuivalente" në 2027. Ka gjithashtu një gjuhë të fortë se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe një thirrje për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte i ka përcaktuar qartë tri prioritetet: rritja e mëtejshme e investimeve në mbrojtje, forcimi i prodhimit të industrisë transatlantike të mbrojtjes, dhe mbështetja për Ukrainën. Narrativa qendrore është kthimi i shpenzimeve në kapacitete reale luftarake. Rutte e ka thënë hapur se samiti do të fokusohet te "kthimi i shpenzimeve shtesë në aftësi gati për luftim" dhe te zgjerimi i industrive të mbrojtjes.
Por përtej dakordësisë formale nën rrogoz duket qartë vijimi i pakënaqësisë amerikanë në lidhje me hendekun mes deklaratave politike të aleatëve evropianë dhe vullnetit të tyre për t’u angazhuar seriozisht si partnerë, duke filluar nga rritja e ndjeshme e financimit për mbrojtjen dhe rritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës ushtarake. Analizën më të mprehtë të momentit e ka dhënë një diplomat evropian: aleanca është "e gjallë dhe aktive, por paksa e mavijosur". Paradoksi është i dukshëm. Nga njëra anë, Evropa ka dorëzuar konkretisht atë që kërkohej prej dekadash: evropianët dhe Kanadaja shpenzuan 90 miliardë dollarë më shumë në 2025 se një vit më parë, duke arritur mbi 570 miliardë dollarë gjithsej, ndërsa Rutte flet për një trilion dollarësh shtesë që nga mandati i parë i presidentit Tramp, ç'ka ai e quan "trilioni i Tramp". Objektivi i Hagës mbetet 3.5% të PBB-së për mbrojtje thelbësore plus 1.5% për shpenzime të lidhura me mbrojtjen, deri në 2035.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë garanci që kjo mjafton politikisht. Janë të paktën katër faktorë që duhen marrë në konsideratë. Së pari, vet presidenti amerikan. Ai ka konfirmuar pjesëmarrjen, por me rezervat përkatëse. Tramp ka thënë se do të shkonte "vetëm nga respekti për presidentin Erdogan", pas një thirrjeje personale të tij dhe se nuk do të shkonte "për shumicën e njerëzve" (duke nënkuptuar liderët evropianë) të mbledhur aty. Vetëm ditë më parë e përsëriti mantrën se aleatët e braktisën SHBA-në në sulmin ndaj Iranit, duke e cilësuar "qesharake" marrëdhënien "e njëanshme" me NATO-n.
Së dyti, tërheqja amerikane. SHBA ka njoftuar tërheqje trupash nga Evropa, ka reduktuar forcat që i cakton planeve mbrojtëse të NATO-s, përfshirë një aeroplanmbajtëse, avionë rimbushjeje, avionë luftarakë dhe dronë, si dhe ka nisur një rishikim gjashtëmujor të pranisë së saj ushtarake në kontinent. Kjo ushqen frikën kryesore që ngrenë zyrtarët në krahun lindor të Aleancës: se administrata Trump mund ta "hedhë në erë" marrëveshjen e brishtë përmes tërheqjeve kaotike që lënë boshllëqe në mbrojtje, dhe se pyetja e vërtetë është nëse ajo kërkon ta ribalancojë aleancën me mirëbesim apo thjesht ta shkëpusë SHBA-në nga siguria evropiane.
Së treti, Grenlanda dhe Irani, dy çështje ku Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane janë ndeshur hapur. Presidenti Tramp nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të "marrë" Grenlandën, territor të aleates Danimarkë, ndërsa lufta me Iranin nxori në pah se shumica e aleatëve nuk iu bashkuan operacionit amerikan.
Së katërti, duhet marrë në konsideratë fakti që Turqia sjell ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës dhe një gjeografi thelbësore, duke u kthyer edhe në një faktor me peshë për eksportet ushtarake në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Për presidentin Erdogan, samiti është fitore e pastër: prania e Tramp-it mund të shoqërohet me një "dhuratë" domethënëse për mbrojtjen turke të tillë si motorë F-110 dhe avionë F-35, nga programi i të cilëve Turqia u përjashtua në 2019 pas blerjes së sistemeve ruse S-400. Përgjithësisht ka në dakordësi që samiti i jep Erdoganit legjitimitet ndërkombëtar si dhe nga ana tjetër në këtë optikë duhen parë edhe takimet e Marta Kos dhe von der Leyen në Ankara për të nxitur agjendën e integrimit evropian të Turqisë që konsiderohet një aleate me peshë në një botë përherë dhe më sfiduese me fuqi konkurruese globale dhe rajonale.
Nuk është se samiti i Ankarasë ka një shkop magjik që detyrimisht do të zgjidhë këto tensione. Por mund të jetë një ushtrim menaxhimi perceptimesh, pra provë nëse aleanca mund të "shesë" te Trump idenë e "NATO 3.0" (një Evropë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë, më pak e varur nga SHBA por me SHBA-në ende të rrënjosur) pa e nxitur atë të shpërthejë publikisht.
Nga ana tjetër, duhet parë çfarë roli i rezervohet Shqipërisë dhe shanset për samitin e Tiranës vitin tjetër. Thënë kjo, dihet që roli i Shqipërisë është ai i një aleati të vogël që përpiqet të mbetet relevant nëpërmjet kontributit dhe simbolikës. Nga Shqipëria pritet pikë së pari rritja reale e kontributit të saj financiar në Aleancë si dhe pesha përkatëse e shpenzimeve të mbrojtjes në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto. Shqipëria ishte nën pragun 2% të PBB-së në 2025-ën, bashkë me Çekinë dhe Slloveninë. Për t'u rreshtuar, qeveria po finalizon masat fiskale që do ta çojnë shpenzimin e 2026-s në 2.6% të PBB-së, nga të cilat 2.2% mbrojtje bazë plus 0.4% shpenzime të tjera të lidhura me sigurinë, nivel që zyrtarët shqiptarë e kanë quajtur më ambiciozin që kur Shqipëria iu bashkua Aleancës. Por kleçka qëndron si do jetë kjo rritje, transparenca në lidhje me shpenzimet etj. Pra a do vijohet me truket e vjetra si kalimi i emergjencave civile nga një ministri në tjetrën apo shpenzime elektorale që klasifikohen si shpenzime mbrojtje apo realisht Shqipëria do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë.
Shqipëria kërkon të dallohet si kontribuese. Për shembull bashkëorganizoi më 12 qershor në Tiranë Takimin Ministror Ukrainë–Evropë Juglindore me ministrin ukrainas Sybiha, si platformë për angazhimin e përbashkët për paqen dhe sigurinë. Por a mjafton kjo për t’u konsideruar një aleat me peshë specifike në Aleancë dhe kontribuese për krizat e sigurisë kur edhe marrëdhëniet në rajon i ka shpesh të tensionuara si ato me Prishtinën apo Athinën.
Nga ana tjetër në Hagë vitin e kaluar, liderët deklaruan zyrtarisht se prisnin takimin e ardhshëm në Turqi më 2026, "i pasuar nga një takim në Shqipëri", pra samiti 2027 ishte planifikuar për Tiranën. Për Shqipërinë kjo do të ishte ngjarja diplomatike më e rëndësishme e organizuar ndonjëherë në vend. Por së fundmi dy kërcënime e kanë vënë atë në pikëpyetje. Kërcënimi i parë është specifik për Shqipërinë. Sipas Reuters, drafti i deklaratës së Ankarasë aktualisht nuk e përmend mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, ndryshe nga një deklaratë e mëparshme. Arsyeja thonë burimet se shpenzimet e ulëta të mbrojtjes së Shqipërisë janë të tilla që, nëse NATO mban një samit atje në 2027, Trump mund të zemërohej, duke provokuar tituj negativë, pikërisht ajo që evropianët duan të shmangin ndërsa përpiqen t'i tregojnë Trump-it përparim, jo dobësi. Kërcënimi i dytë është strukturor dhe më i rëndë. Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton heqjen dorë nga praktika e samiteve vjetore, një lëvizje që do të shmangte një përballje të tensionuar me Trump më vonë gjatë mandatit të tij. Nëse ndodh kjo, problemi nuk është Tirana; është se mund të mos ketë fare samit të radhës në formatin e mëparshëm.
Gjithashtu element i tretë por jo më pak i rëndësishëm është kurba e protestave dhe nëse do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm apo intensifikohen nga vjeshta e tutje. Fakti që viti që vjen është gjithashtu vit elektoral ku tensionet majisen dhe situata politike futet në kurbë polarizimi më të fortë, janë gjithashtu faktorë të brendshëm që mund të vënë në pikëpyetje vet sigurinë që kërkon një format i tillë nëse edhe kushtet e mësipërme përmirësohen në favor të Shqipërisë. E rëndësishme është mos të mendohet si ngahera për përfitim të kapitalit politik në favor të partisë në pushtet për ta kthyer në aset elektoral në rast se samiti mbahet por për të ngritur profilin gjeopolitik të vendit në kohë krizash sistemike, ku dhe vet Aleanca nuk është imune.
© SYRI.net