Çerekfinalja e shumëpritur e Botërorit 2026 mes Anglisë dhe Norvegjisë, e planifikuar të zhvillohet të shtunën, në Miami, rrezikon të ndikohet seriozisht nga kushtet ekstreme atmosferike.
Përveç stuhive dhe shkarkimeve elektrike të parashikuara rreth orarit të ndeshjes, organizatorët po monitorojnë edhe temperaturat shumë të larta, të cilat mund të detyrojnë FIFA-n të marrë masa të jashtëzakonshme.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperatura në momentin e fillimit të takimit do të arrijë në 33 gradë celsius, ndërsa temperatura e ndjeshme, për shkak të lagështisë së lartë, mund të shkojë deri në 44 gradë.
Rregullorja e FIFA-s parashikon masa të posaçme kur temperatura kalon 32 gradë. Në këto raste zbatohen pushimet e detyrueshme për hidratim në të dyja pjesët e ndeshjes, ndërsa në situata ekstreme organizatorët kanë të drejtë të shtyjnë ose edhe të anulojnë përkohësisht zhvillimin e sfidës, nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve.
Një tjetër rrezik janë stuhitë. Sipas protokollit të FIFA-s, nëse regjistrohet një goditje rrufeje brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja ndërpritet menjëherë. Loja rifillon vetëm pasi të kenë kaluar të paktën 30 minuta pa një tjetër shkarkim elektrik në zonë. Nëse ndodh një rrufe e re, numërimi i kohës nis sërish nga e para.
Zyrtarët e FIFA-s matin nivelin e nxehtësisë dhe lagështisë 90 minuta përpara fillimit të ndeshjes dhe përsëri një orë para startit, sidomos në stadiumet ku temperaturat janë më problematike.
Nuk është hera e parë që Anglia përballet me probleme të motit në këtë Botëror. “Tre Luanët” kanë kaluar tashmë dy ndeshje të ndërprera për shkak të kushteve atmosferike.
Megjithëse shtyrja e ndeshjes mbetet opsioni i fundit, FIFA ka bërë të qartë se shëndeti dhe siguria e futbollistëve, stafit dhe tifozëve do të kenë përparësi ndaj çdo aspekti tjetër, pavarësisht shqetësimeve që një vendim i tillë mund të shkaktojë për mijëra tifozë që kanë udhëtuar drejt Miamit.
Fituesi i përballjes mes Anglisë dhe Norvegjisë do të sigurojë një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesin e sfidës Argjentinë–Zvicër.
© SYRI.net