Rekordmeni i kartonëve të kuq do të gjykojë Francë-Marok, ‘Blutë’ shmangin polemikat

Rekordmeni i kartonëve të kuq do të gjykojë Francë-Marok, ‘Blutë’ shmangin polemikat

16:34, 08/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

FIFA i ka besuar arbitrit argjentinas, Facundo Tello, drejtimin e çerekfinales së parë të Botërorit 2026 mes Francës dhe Marokut, e cila do të zhvillohet të enjten, në orën 22:00. Emërimi i tij ka tërhequr vëmendje, pasi Franca konsiderohet një nga favoritët për të shkuar në finale, ku mund të përballet pikërisht me Argjentinën, në një përsëritje të finales së Botërorit 2022.

Ky vendim vjen një ditë pasi sfida Argjentinë-Egjipt u gjykua nga arbitri francez François Letexier. Në Argjentinë pati kritika për atë emërim, jo vetëm për shkak të kombësisë së arbitrit, por edhe sepse në shkurt, gjatë ndeshjes Benfica–Real Madrid, ai aktivizoi protokollin kundër racizmit, çka më pas solli pezullimin me gjashtë ndeshje të argjentinasit Gianluca Prestianni. Megjithatë, pas ndeshjes Argjentinë-Egjipt, kritikat ndaj Letexier erdhën kryesisht nga kampi egjiptian, i cili madje kërkoi që ai të mos arbitronte më në këtë Botëror.

Nga ana tjetër, në kampin francez nuk ka shqetësim për emërimin e Tello-s. Portieri i tretë i “Bluve”, Robin Risser, u bëri thirrje të gjithëve të mos bien pre e paranojës, duke theksuar se arbitrat e përzgjedhur ndodhen në Botëror sepse kanë nivelin e duhur për një kompeticion të tillë.

Facundo Tello njihet si një arbitër me personalitet të fortë dhe nuk heziton të ndëshkojë lojtarët. Ai mban edhe një rekord të pazakontë, pasi në vitin 2022, gjatë ndeshjes Boca Juniors–Racing Club, nxori plot 10 kartonë të kuq, një nga statistikat më ekstreme në historinë e futbollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco