Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur me optimizëm dhe besim përpara përballjes së madhe ndaj Argjentinës në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke theksuar se skuadra e tij nuk do të hyjë në fushë me frikë, pavarësisht se përballë do të ketë kampionët në fuqi të botës.
Përfaqësuesja zvicerane ka zhvilluar një turne mjaft të mirë deri më tani dhe tani synon të bëjë hapin më të madh, duke eliminuar një nga favoritët kryesorë për trofeun dhe duke siguruar një vend historik në gjysmëfinalet e Botërorit.
Në konferencën për media para ndeshjes, Yakin pranoi forcën e Argjentinës, por theksoi se në futboll nuk ekzistojnë skuadra të pamposhtura.
“Do të luajmë kundër kampionëve në fuqi. Është një mundësi unike për ne, por Argjentina nuk është e pamposhtur”, deklaroi trajneri Yakin.
Ai shtoi se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe është e vetëdijshme për karakterin e kundërshtarit.
“Sigurisht që do të bëjmë gjithçka për t’i mposhtur. E njohim mirë mentalitetin e skuadrave të Amerikës së Jugut. Për ta çdo ndeshje ka rëndësi të jashtëzakonshme dhe luftojnë për çdo top deri në fund.
Ne duhet të jemi të përqendruar gjatë gjithë takimit dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të na paraqitet”, u shpreh Yakin.
Argjentina vjen në këtë përballje pas kualifikimit në çerekfinale falë fitores ndaj Egjiptit, ndërsa Zvicra synon të shkruajë historinë me një sukses ndaj kampionëve të botës dhe të sigurojë një vend mes katër skuadrave më të mira të turneut.
Ndeshja mes Zvicrës dhe Argjentinës do të zhvillohet të shtunën më 11 korrik dhe pritet të jetë një nga përballjet më interesante të fazës çerekfinale të Kupës së Botës 2026.
© SYRI.net