Botërori 2026 ka ndryshuar ndjeshëm garën për “Topin e Artë”. Performancat në turneun më të madh të futbollit kanë marrë një peshë shumë më të madhe në krahasim me sezonin e klubeve dhe kanë përmbysur parashikimet për fituesin e çmimit prestigjioz.
Sipas të dhënave të publikuara nga Betfair, favoriti kryesor për “Topin e Artë” është aktualisht Harry Kane, me 22,27% shanse për ta fituar trofeun. Pas sulmuesit anglez renditet Kylian Mbappé me 19,3%, ndërsa më pas vijnë Ousmane Dembélé dhe Michael Olise, të dy me nga 12,06%. Lionel Messi është gjithashtu sërish në garë, me 10,34% mundësi për të fituar “Topin e Artë”, që do të ishte çmimi i nëntë në karrierë.
Protagonisti më i madh i kësaj përmbysjeje është pikërisht Messi. Para fillimit të Botërorit, probabiliteti i tij për të fituar çmimin ishte vetëm 0,94%, ndërsa pas paraqitjeve në turne është rritur me 966%, rritja më e madhe mes kandidatëve kryesorë.
Edhe Mbappé ka bërë një kërcim të madh. Shtatë golat e tij në Botëror kanë rritur me 342% shanset e francezit, duke e kthyer në kandidatin e dytë kryesor, pavarësisht një sezoni jo shumë të spikatur me Real Madridin.
Një tjetër përfitues i madh është Jude Bellingham. Mesfushori anglez ka rritur mundësitë e tij me 565% dhe është futur mes dhjetë kandidatëve kryesorë për çmimin. Ndërkohë, Erling Haaland ka parë një rritje prej 243% pas një Botërori shumë të mirë me Norvegjinë.
Në anën tjetër, disa lojtarë që shkëlqyen me klubet e tyre kanë humbur terren për shkak të mungesës ose paraqitjeve më pak bindëse në Botëror. Khvicha Kvaratskhelia ka pësuar një rënie prej 33%, Vitinha 25,9%, ndërsa Désiré Doué 10,7%.
Efekti i Botërorit është ndier veçanërisht te lojtarët e Paris Saint-Germain. Para fillimit të turneut, klubi francez kishte pesë futbollistë mes dhjetë favoritëve kryesorë për “Topin e Artë”. Pas disa javësh, vetëm Dembélé dhe Olise kanë ruajtur pozitat e tyre.
Gjithashtu kanë humbur vlerësim emra si Declan Rice, i penalizuar nga një Botëror jo shumë bindës me Anglinë, Rayan Cherki, i cili nuk ka pasur shumë minuta me Francën, dhe Federico Valverde, që nuk ka arritur të jetë vendimtar për Uruguain.
Me fazat vendimtare të Botërorit ende për t’u luajtur, gara për “Topin e Artë” mbetet e hapur, por një gjë është e qartë: paraqitjet në Kupën e Botës kanë ndryshuar plotësisht ekuilibrat.
© SYRI.net