Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 39-të e protestave anti-qeveritare, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama

Ish-futbollisti i famshëm francez sulmon ashpër Brazilin: Të bën për të vjellë kur e sheh

Ish-futbollisti i famshëm francez sulmon ashpër Brazilin: Të bën për të vjellë kur e sheh

19:09, 08/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Legjenda e futbollit francez, Youri Djorkaeff, ka kritikuar ashpër kombëtaren e Brazilit pas eliminimit në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026. Ish-kampioni i botës dhe i Evropës me Francën e konsideroi paraqitjen e “Seleçaos” ndaj Norvegjisë si një shembull të rënies së cilësisë teknike në futbollin modern.

Në një intervistë për “RMC”, Djorkaeff nuk i kurseu fjalët për Brazilin, duke thënë se loja e zhvilluar nga skuadra amerikano-jugore ishte aq zhgënjyese sa i shkaktoi një reagim ekstrem.

“Mendoj se kemi humbur shumë cilësi. Të rinjtë duhet të kenë më shumë mundësi për t’u shprehur në klube, sepse sot nuk ka më shumë lojtarë me talent teknik. E patë Brazil-Norvegji? Ta shohësh atë kombëtare braziliane të bën për të vjellë”, deklaroi ai.

Djorkaeff theksoi se Brazilit i mungojnë lojtarët kreativë dhe vendimtarë, duke përmendur si shembull faktin se Neymar, edhe pse 34 vjeç dhe pas një periudhe të gjatë jashtë fushave, mbetet një nga të paktët që mund të krijojë diçka ndryshe.

“Është Neymar, në moshën 34-vjeçare, që nuk ka luajtur prej pesë vitesh në nivelet më të larta, ai që ende krijon diçka në fund. Por ku janë brazilianët me talent teknik? Mos më sillni si shembull Paquetán apo dikë tjetër. Është absurde”, u shpreh ish-sulmuesi francez.

Fituesi i Botërorit 1998 kritikoi gjithashtu mbrojtjen braziliane për golin e dytë të Norvegjisë, të shënuar nga Erling Haaland. Sipas tij, mbrojtësit nuk reaguan siç do të kishin bërë në të kaluarën.

“Haaland kontrollon topin me shumë kohë dhe shumë hapësirë përpara se të godasë. Në të kaluarën, mbrojtësit do të ishin shumë më pranë sulmuesit”, analizoi Djorkaeff.

Ish-futbollisti francez bëri edhe një krahasim mes një rasti të humbur nga Endrick në fillimin e ndeshjes, kur rezultati ishte ende 0-0, dhe mënyrës se si do ta kishte shfrytëzuar një mundësi të tillë Ronaldo Nazário.

“Endrick thjesht e shtyu topin kur ishte i vetëm përballë portierit. Nëse do të ishte Ronaldo, ai do ta kishte kaluar portierin dhe do ta kishte dërguar topin në rrjetë”, përfundoi Djorkaeff.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco