Kombëtarja e Afrikës së Jugut ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Hugo Broos, pas përfundimit të aventurës historike në Kupën e Botës 2026. Lajmi është konfirmuar këtë të premte për agjencinë AFP nga një zyrtar i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut.
Trajneri belg 74-vjeçar largohet nga drejtimi i ekipit pas eliminimit në fazën e 1/16-ave, ku Afrika e Jugut u mposht me rezultatin 1-0 nga Kanadaja. Megjithatë, federata dëshiron ta mbajë Broos-in si pjesë të strukturës së kombëtares në një rol tjetër.
Sipas federatës, trajneri mund të vazhdojë të kontribuojë si këshilltar ose në një funksion të ngjashëm. Edhe vetë Broos, në një intervistë për revistën belge Humo, konfirmoi largimin dhe zbuloi se i është propozuar të qëndrojë pranë ekipit në një rol konsultativ.
Nën drejtimin e Hugo Broos, që mori detyrën në vitin 2021, Afrika e Jugut realizoi paraqitjen më të mirë në historinë e saj në Kupën e Botës, duke kaluar për herë të parë në fazën me eliminim direkt.
Gjithashtu, ai udhëhoqi "Bafana Bafana" drejt vendit të tretë në Kupën e Kombeve të Afrikës 2023, rezultati më i mirë i kombëtares në këtë turne që nga viti 2000.
Sa i përket pasuesit të Broos, emri që përmendet më shumë është ai i Pitso Mosimane, i cili ka drejtuar më parë kombëtaren e Afrikës së Jugut gjatë viteve 2010-2012 dhe konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: