Messi sfidon logjikën, luan më shumë duke ecur, por mbetet lojtari më vendimtar i Botërorit

Messi sfidon logjikën, luan më shumë duke ecur, por mbetet lojtari më vendimtar i Botërorit

17:12, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lionel Messi po vazhdon të tregojë se futbolli nuk fitohet gjithmonë me kilometra të përshkuar apo me shpejtësi maksimale. ‘Ylli’ argjentinas është lojtari me vlerësimin më të lartë statistikor në Kupën e Botës 2026, edhe pse është ndër futbollistët që vrapon më pak në të gjithë turneun.

Në pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani, Messi ka përshkuar gjithsej 35.87 kilometra, ose mesatarisht 6.88 kilometra për ndeshje. Shifra është shumë e ulët për një futbollist të fushës, ndërsa ajo që bie më shumë në sy është fakti se 4.41 kilometra për ndeshje i ka bërë duke ecur. Në këtë aspekt, ai kryeson listën e lojtarëve që ecin më shumë gjatë ndeshjeve të Botërorit.

Edhe statistikat e sprintit janë larg standardeve të futbollit modern. Messi ka regjistruar mesatarisht vetëm 23 sprinte për ndeshje dhe gjatë gjithë turneut ka përshkuar vetëm 631 metra me shpejtësi të lartë, ndërsa 1.48 kilometra i ka bërë me vrap të lehtë.

Megjithatë, këto shifra nuk e pengojnë aspak të jetë futbollisti më dominues në aspektin ofensiv. Sulmuesi argjentinas ka marrë notën mesatare 8.7, më të lartën në Botëror, ndërsa kryeson edhe listën e golashënuesve me tetë gola. Ai është lojtari me më shumë gola nga distanca, më shumë gola nga goditjet e lira dhe ka mesataren më të lartë të golave të pritshëm (xG) për ndeshje, 1.09.

Pas kualifikimit të Argjentinës në çerekfinale, Messi ka arritur edhe një tjetër rekord historik, duke shkuar në 21 gola të shënuar në fazat finale të Kupës së Botës.

Vetë 39-vjeçari e pranon se shokët e skuadrës bëjnë një sakrificë shtesë për të.

"Falë shokëve të ekipit unë mund të qëndroj brenda lojës. E di që ata bëjnë një sakrificë ekstra në momentet kur unë vrapoj më pak. E bëjnë me zemër dhe krejt natyrshëm, sepse kështu e ndiejnë", deklaroi Messi pas fitores ndaj Egjiptit.

Botërori 2026 po dëshmon edhe një herë se talenti dhe inteligjenca në fushë mund të jenë po aq vendimtarë sa forca fizike. Messi vrapon më pak se pothuajse të gjithë, por vazhdon të bëjë diferencën më shumë se kushdo tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco