Franca në alarm para sfidës me Marokun, mbi 20 mijë policë në gatishmëri për të shmangur trazirat

Franca në alarm para sfidës me Marokun, mbi 20 mijë policë në gatishmëri për të shmangur trazirat

21:19, 09/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Franca ka vendosur një nga masat më të mëdha të sigurisë gjatë Kupës së Botës 2026 përpara çerekfinales ndaj Marokut, nga frika se ndeshja mund të pasohet nga incidente dhe përplasje në rrugë.

Sipas medieve franceze, mbi 20 mijë efektivë policie do të angazhohen në të gjithë vendin, ndërsa rreth 8 mijë prej tyre do të jenë të dislokuar vetëm në Paris. Autoritetet kanë parashikuar një plan të posaçëm sigurie që përfshin prani të shtuar të forcave të rendit në Champs-Élysées, kufizime të qarkullimit, mbyllje të disa stacioneve të metrosë dhe mbikëqyrje ajrore me dronë.

 

Image

Masat nuk janë marrë rastësisht. Franca ka përjetuar më parë episode dhune pas ndeshjeve të rëndësishme të kombëtares dhe të PSG-së, pavarësisht rezultatit në fushë. Ekspertët e sigurisë theksojnë se grumbullimet masive të tifozëve mund të shfrytëzohen edhe nga persona që nuk kanë lidhje me futbollin, për të kryer vjedhje, vandalizëm apo për t'u përplasur me policinë.

Precedenti më i afërt është gjysmëfinalja e Kupës së Botës 2022 mes Francës dhe Marokut. Atë mbrëmje u angazhuan rreth 10 mijë policë dhe xhandarë në të gjithë Francën, ndërsa pas ndeshjes u arrestuan mbi 266 persona për prishje të rendit publik, hedhje objektesh, zjarrvënie dhe përplasje me forcat e rendit. Incidentet më të rënda u regjistruan në Champs-Élysées, por edhe në qytete të tjera si Lioni, Montpellier dhe Nice.

Image

Studiuesit theksojnë se trazirat nuk mund të shpjegohen me një shkak të vetëm. Sipas tyre, faktorë si grumbullimet e mëdha, veprimtaria e grupeve oportuniste, tensionet sociale, marrëdhëniet mes një pjese të të rinjve në periferi dhe policisë, si edhe efekti i imitimit, kontribuojnë në krijimin e incidenteve.

Ata nënvizojnë gjithashtu se nuk duhet të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë mes emigracionit apo banorëve të periferive dhe dhunës, pasi shumica dërrmuese e tifozëve e ndjekin ndeshjen dhe festojnë në mënyrë paqësore.

Për autoritetet franceze, objektivi kryesor nuk është vetëm garantimi i sigurisë gjatë ndeshjes Francë-Marok, por edhe shmangia e skenave të dhunës pas përfundimit të saj. Shpresa e qeverisë është që vëmendja të mbetet te futbolli dhe jo te pamjet e makinave të djegura apo përplasjeve në rrugët e Parisit.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco