Erling Haaland dhe familja e tij kanë bërë një gjest prekës për familjen e Dennis Skjorestad, një fëmijë gjashtëvjeçar që humbi jetën në fund të qershorit pas një aksidenti tragjik automobilistik.
Sulmuesi norvegjez, i cili ishte idhulli i madh i vogëlushit, i dërgoi familjes së Dennis një fanellë të kombëtares së Norvegjisë me autograf, së bashku me një mesazh mbështetës dhe ngushëllimi. Gjesti i Haaland-it solli një moment të rrallë ngushëllimi për familjen e pikëlluar.
Aksidenti tragjik ndodhi më 24 qershor, në një zonë rezidenciale në Rogaland, ku Dennisi u përplas nga një automjet. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta shkaktoi trishtim të madh në komunitetin lokal. Mediat norvegjeze e përshkruan atë si një fëmijë të apasionuar pas futbollit dhe një tifoz të madh të Haaland-it.
Rreth një javë pas ngjarjes tragjike, familja e vogëlushit mori një pako të papritur nga ‘ylli’ i Manchester City-t. Brenda saj ndodhej fanella e kombëtares norvegjeze me autograf dhe një letër e shkruar nga familja Haaland, ku shprehnin ngushëllimet për prindërit dhe motrën e vogël të Dennisit.

“Nuk mund ta imagjinojmë kurrë dhimbjen që po përjetoni si prindër dhe si familje. Duam ta dini se në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë jemi duke menduar shumë për ju. Mësuam se Dennisi ishte një i apasionuar pas futbollit. Për këtë arsye donim t’ju dërgonim këtë”, shkruhej në mesazh.
Babai i Dennisit e ndau lajmin në rrjetet sociale, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur, nga familjarët dhe miqtë deri te stafi i shkollës. Por mesazhi i Haaland-it pati një ndikim të veçantë te familja.
“Na shkaktoi një emocion të jashtëzakonshëm, një ndjesi që nuk e kishim përjetuar kurrë më parë. Nëse Dennisi do të ishte ende këtu, do të ishte jashtëzakonisht krenar. Ti, Erling, ishe idhulli i tij i madh. Një mijë herë faleminderit”, shkroi babai i vogëlushit.
dërkohë, Haaland po përgatitet me kombëtaren e Norvegjisë për çerekfinalen e Botërorit 2026 ndaj Anglisë, skuadër e drejtuar nga Thomas Tuchel. Norvegjia siguroi kualifikimin në këtë fazë pas fitores 2-1 ndaj Brazilit në 1/8-at, me dy gola të shënuar nga Haaland, pas asistimeve të talentit të Benfica-s, Andreas Schjelderup.

© SYRI.net