Polemikat për ndeshjen mes Egjiptit dhe Argjentinës në 1/8-at e Kupës së Botës 2026 vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Këtë herë debatit i është bashkuar edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili ka kritikuar ashpër vendimet e arbitrimit dhe përdorimin e sistemit VAR.
Gjatë një konference për shtyp mbi transportin publik të qytetit, Mamdani bëri një koment ironik që tërhoqi menjëherë vëmendjen.
"Çfarë do të bëni me gjashtë minutat shtesë që do të kurseni çdo ditë? Mund të hani mëngjes me familjen ose t'i përdorni për të rënë dakord me miqtë tuaj se dje Egjipti u grabit në mes të ditës", u shpreh ai.
Më pas, duke folur me gazetarët, kryebashkiaku shtoi me tone ironike se do ta përdorte kohën e lirë për "të parë përsëri dhe përsëri pamjet e atij grabitjeje", duke sulmuar edhe sistemin VAR.
Debati lidhet me ndeshjen e zhvilluar ndaj Argjentinës, ku Egjipti kryesonte 2-0 falë golave të Yasser Ibrahim-it dhe Mostafa Zico-s. Momenti më i diskutueshëm erdhi kur arbitri francez, François Letexier, pas ndërhyrjes së VAR-it, anuloi golin e Egjiptit për një faull të Marawan Attia-s të ndodhur rreth 20 sekonda përpara realizimit.
Pas këtij episodi, Argjentina përmbysi rezultatin në minutat e fundit dhe fitoi 3-2, me Lionel Messin në rolin e protagonistit.
Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi duke paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA, ndërsa trajneri Hossam Hassan hodhi akuza të forta pas ndeshjes.
"Jemi trajtuar në mënyrë të padrejtë. Ky Botëror është manipuluar që në fillim. Ndoshta dikush donte të mbante kampionët e botës ende në garë. Ndoshta marketingu kërkon që Messi të vazhdojë turneun. Ka faktorë që shkojnë përtej futbollit", deklaroi ai.
Kjo nuk është hera e parë që Mamdani kritikon FIFA-n. Vetëm pak javë më parë, kryebashkiaku i qytetit që do të presë finalen e Botërorit në stadiumin "MetLife" kishte kundërshtuar politikën e çmimeve të larta të biletave dhe disa nga rregullat e vendosura për tifozët në stadiume.
Megjithëse është e vështirë që FIFA ta pranojë ankesën e Federatës Egjiptiane, deklaratat e Mamdanit kanë shtuar edhe më shumë debatin rreth arbitrimit të ndeshjes, duke e shndërruar çështjen në një temë që ka kaluar kufijtë e futbollit.
© SYRI.net