De la Fuente paralajmëron Belgjikën: Më e mira e Lamine Yamal ende nuk është parë

De la Fuente paralajmëron Belgjikën: Më e mira e Lamine Yamal ende nuk është parë

15:47, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, beson se Lamine Yamal ende nuk e ka shfaqur potencialin e tij maksimal në Kupën e Botës 2026, pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse deri tani.

Në konferencën për shtyp para çerekfinales ndaj Belgjikës, tekniku spanjoll u ndal te talenti i Barcelonës, duke theksuar se 19-vjeçari ka ende shumë për të dhënë dhe se duhet të menaxhohet me kujdes nga ana psikologjike.

"Nëse shikoni motivimin e Lamine, ai është shumë i rrezikshëm për kundërshtarët, por duhet ta qetësojmë që ai të mos e kthejë atë motivim në ankth", deklaroi De la Fuente.

Sipas trajnerit të Spanjës, versioni më i mirë i Yamal ende nuk ka ardhur.

"Më e mira ende nuk ka ardhur, sepse ai nuk e ka arritur ende nivelin e shkëlqimit që presim prej tij. Në ndeshjen e fundit iu desh të punonte shumë edhe në fazën mbrojtëse, u lodh dhe u zëvendësua. Megjithatë, tregoi pjekuri të madhe dhe ne presim ta shohim edhe më të rrezikshëm në sulm", shtoi ai.

Yamal ishte një nga protagonistët në fitoren e Spanjës ndaj Portugalisë, duke konfirmuar edhe një herë talentin e tij në skenën më të madhe të futbollit.

De la Fuente komentoi edhe paraqitjen e Pedrit, duke vlerësuar kontributin e mesfushorit edhe pse nuk zhvilloi ndeshjen e tij më spektakolare.

"E shoh Pedrin duke luajtur shumë mirë. Ai është gjithmonë në një nivel të lartë për ne. Ndoshta nuk ishte paraqitja e tij më e shkëlqyer, por ishte shumë praktike dhe lojtarët që hynë në fushë përfituan nga puna e tij", tha trajneri.

Spanja do të përballet sot në orën 21:00 me Belgjikën në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, me objektivin për të siguruar një vend mes katër skuadrave më të mira të turneut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco