Erling Haaland nuk është vetëm një makineri golash, por edhe një lojtar që di të përdorë strategjinë jashtë fushës.
Në prag të çerekfinales së Botërorit 2026 ndaj Anglisë, sulmuesi norvegjez ka tentuar të ulë presionin mbi skuadrën e tij, duke e cilësuar ekipin e Thomas Tuchel si favorit.
“Mendoj se ka disa favoritë të padiskutueshëm dhe Anglia është një prej tyre. Duhet të ushtroni sa më shumë presion të jetë e mundur mbi ekipin anglez”, deklaroi Haaland për mediat.
Ylli norvegjez pranoi se rrugëtimi i Norvegjisë deri në këtë fazë ka qenë një surprizë edhe për vetë atë.
“Të jesh në çerekfinale kundër Anglisë, sinqerisht, nuk e prisja. Fakti që kemi arritur deri këtu më habit”, tha sulmuesi.
Haaland, i lindur në Leeds gjatë kohës kur babai i tij luante në Angli, foli edhe për emocionet pas fitores historike ndaj Brazilit. Norvegjia eliminoi “Seleçaon” dhe siguroi një vend mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit.
“Të luaje kundër Brazilit ishte diçka e çmendur për ne norvegjezët. T’i mposhtësh ata dhe më pas të përballesh me Anglinë në çerekfinale është vërtet diçka e veçantë. Mjafton të shikosh festimet në Norvegji për ta kuptuar se kjo nuk është diçka normale për ne”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Haaland ka fituar edhe shumë popullaritet në Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për golat e tij, por edhe pas një videoje ku u shfaq në Dallas duke blerë çizme dhe kapele kauboj. Videoja e publikuar në YouTube ka marrë miliona shikime.
“Është diçka e mirë, sepse më pëlqejnë amerikanët. Janë njerëz të mirë dhe më pëlqen mënyra e tyre e sjelljes”, përfundoi Haaland.
© SYRI.net