Rikthimi i mundshëm i skuadrave ruse në kompeticionet ndërkombëtare ka hapur një përplasje të re mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror, UEFA-s dhe FIFA-s. Ndërsa FIFA duket më e hapur për të rishikuar qëndrimin e saj, UEFA po përgatitet të bllokojë rikthimin e ekipeve ruse në garat evropiane.
Skuadrat ruse janë përjashtuar nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare prej katër vitesh, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës. Vendimi i fundit i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të hequr pezullimin ndaj Rusisë ka bërë që FIFA të sinjalizojë një rishikim të qëndrimit të saj.
“Do ta analizojmë vendimin përpara se të përcaktojmë hapat e ardhshëm”, deklaroi FIFA të martën.
Megjithatë, në UEFA situata duket ndryshe. Edhe pse institucioni evropian nuk ka bërë një deklaratë zyrtare, burime pranë disa federatave kombëtare konfirmojnë se aktualisht nuk ekziston një skenar real për rikthimin e skuadrave ruse në futbollin evropian.
Ky qëndrim mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në pjesëmarrjen e Rusisë në Botëror, pasi eliminatoret evropiane të turneut të FIFA-s organizohen nga UEFA. Federata të mëdha si ato të Anglisë, Gjermanisë dhe Francës vazhdojnë të kundërshtojnë fuqimisht rikthimin e Rusisë.
Kjo nuk është hera e parë që UEFA përballet me presion për këtë çështje. Tre vjet më parë, organizmi evropian u detyrua të tërhiqej nga një plan për të rikthyer ekipet e të rinjve të Rusisë në garat ndërkombëtare, pas kundërshtimit të fortë nga disa federata anëtare.
Në anën tjetër, FIFA nën drejtimin e presidentit Gianni Infantino, duket më e gatshme për një ndryshim qëndrimi. Infantino, i cili ka pasur marrëdhënie të afërta me presidentin rus Vladimir Putin që nga Botërori 2018, ka shprehur më herët dëshirën që Rusia të rikthehet në futbollin ndërkombëtar.
Në shkurt, në një intervistë për “Sky News”, kreu i FIFA-s deklaroi se organizata do ta shqyrtonte këtë çështje, duke argumentuar se ndalimi “nuk ka arritur asgjë, përveçse ka krijuar më shumë zhgënjim dhe urrejtje”.
Përplasja për Rusinë vjen në një moment kur marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s janë tensionuar edhe për çështje të tjera. Së fundmi, të dy institucionet u përplasën publikisht pas vendimit të FIFA-s për të hequr pezullimin ndaj Folarin Balogun para ndeshjes së Botërorit mes SHBA-së dhe Belgjikës. UEFA e cilësoi vendimin si kalim të një “vije të kuqe” që dëmtonte integritetin e kompeticionit, ndërsa FIFA iu përgjigj me akuza për hipokrizi.
Vendimi i IOC për të hequr pezullimin ndaj Komitetit Olimpik Rus ka hapur derën për pjesëmarrjen e sportistëve dhe ekipeve ruse në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028. Megjithatë, vetë IOC ka theksuar se çdo federatë sportive ka autonominë e saj për të marrë vendime dhe në rastin e futbollit pjesëmarrja në vitin 2028 është e pamundur, pasi proceset kualifikuese kanë nisur tashmë.
Çështja ruse pritet të jetë një nga temat më të nxehta të futbollit ndërkombëtar në muajt e ardhshëm dhe mund të thellojë ndarjet mes UEFA-s dhe FIFA-s.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: