Ruben Amorim ka nisur zyrtarisht aventurën e tij si trajner i Milanit. Portugezi u prezantua në konferencë për shtyp së bashku me pronarin e klubit, Gerry Cardinale, duke shpalosur ambiciet e tij për rikthimin e kuqezinjve në majën e futbollit italian.
“Ju kërkoj ndjesë që sot nuk flas italisht, por do ta mësoj shumë shpejt. Për mua është shumë e rëndësishme ta mësoj gjuhën për të respektuar kulturën tuaj dhe do të përpiqem ta bëj sa më shpejt. Ndihem si në shtëpi, është një kënaqësi e madhe të jem këtu”, tha Amorim në fjalët e para si trajner i Milanit.
Tekniku portugez nuk e fshehu admirimin për historinë e klubit kuqezi. “Më kujtohet Ancelotti, kam ndjekur shumë edhe Sacchi-n, sepse stili i tij solli shumë risi në futboll. Pastaj është edhe Capello. E kaluara e Milanit përbëhet nga shumë lojtarë të mëdhenj, nga Van Basten te Gullit. Nëse do të zgjidhja vetëm një kujtim, do të ishte shumë e vështirë. E ndjek Milanin që kur isha i ri dhe e ndiej këtë përgjegjësi”.
Për sfidën në Serie A, Amorim ishte i qartë: “Është një kampionat ku është shumë e vështirë të fitosh. Ne jemi këtu jo për të shmangur humbjet, por për të fituar. Është një sfidë e bukur”.
Duke folur për filozofinë e tij, trajneri i ri i Milanit premtoi një skuadër që do të kërkojë të jetë protagoniste. “Dua të dominojmë kundërshtarin dhe të mbrohemi mirë. Çdo trajner ka idetë e veta, por edhe unë duhet të përshtatem kur të njoh lojtarët. Dua të argëtoj tifozët, t’u jap një futboll të bukur për t’u parë”.
Amorim shpjegoi edhe arsyen pse zgjodhi Milanin. “Pas takimit të parë ndodhi diçka. Ekipi më ofroi gjëra që më pëlqejnë dhe unë doja të mbroja ato vlera. Më prezantuan strukturën, mënyrën e punës dhe projektin e klubit. Kur ndien se ke njerëzit e duhur rreth vetes dhe një skuadër që të mbështet, atëherë ke të gjithë përbërësit për sfidën që dëshiron të ndërmarrësh”.
Për objektivin e titullit dhe yllin e dytë në stemën e Milanit, portugezi shtoi: “Sigurisht që duam ta fitojmë. E di që do të jetë e vështirë, sepse ka shumë faktorë që ndikojnë, por ky është objektivi ynë”.
Në lidhje me Luka Modric-in, Amorim konfirmoi dëshirën për ta pasur kroatin në skuadër: “Është një lojtar që duam ta mbajmë. Kam folur me të dy herë. Nëse duhet, do të shkoj të flas përsëri me të, nuk lodhem. Ai është i jashtëzakonshëm dhe një pikë referimi për ne. Nuk them që do të luajë çdo ndeshje, por duam të llogarisim tek ai”.
Për Christian Pulisic-in, trajneri tha: “Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Është perfekt për mënyrën si luhet futbolli në Itali, ku skuadrat mbrohen mirë. Ai mund të bëjë diferencën me një ‘D’ të madhe”.
Në fund, Amorim foli edhe për periudhën te Manchester United: “Kam mësuar shumë. Kam bërë gabime, por jam krenar që kam qenë tek United. Tani është një histori tjetër. Kam fituar eksperiencë dhe do të jem padyshim një trajner më i mirë”.
Mesazhi i tij për tifozët kuqezi ishte i qartë: “Nuk mund të ndryshoj gjithçka brenda 24 orësh, por mund të premtoj se do të jap gjithmonë maksimumin për klubin. Që nga ndeshja e parë në Serie A duam të fitojmë”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: