Prag Champions dhe Conference League, përgatitjet e klubeve shqiptare

Prag Champions dhe Conference League, përgatitjet e klubeve shqiptare

18:56, 01/07/2023

 

Klubet shqiptare kanë zhvilluar një verë mjaft aktive, me goditje në merkato dhe miqësore të shumta, me fokusin tek një objektiv i vetëm: paraqitjen sa më dinjitoze në skenën europiane.

Kampionët e Shqipërisë të Partizanit zhvilluan një miqësore në ditën e premte ndaj Strugës, sfidë të cilën e fituan me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar nga Alfred Mensah. Pas përballjes me kampionët e Maqedonisë së Veriut, Demat e Kuq kanë caktuar dhe një miqësore ndaj kampionëve të Kosovës, Ballkanit. Sfida do të zhvillohet të martën në stadiumin ”Kukës Arena”, një takim i cili do t’i shërbejë edhe më shumë për të njohur skuadrën më nga afër trajnerit Zoran Zekic.

Nga ana tjetër, Tirana i ka mbyllur me humbje dy ndeshjet e para miqësore, një disfatë 2-1 ndaj Dukagjinit dhe 3-1 ndaj Ballkanit. Në të njëjtën mënyrë si Partizani, bardheblutë do të zhvillojnë dhe një tjetër miqësore, të mërkurën ndaj ekipit të Strugës, me sfidën që do të zhvillohet sërish në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra që u rendit në vendin e tretë në Superiore në sezonin që lamë pas, Egnatia, ka barazuar dy herë në dy miqësoret që ka zhvilluar deri më tani. Ekipi i Edlir Tetovës është përballur me Shkupin, sfidë e cila u mbyll 1-1 dhe ndaj rumunëve të Hermenstad, takim që përfundoi në një barazim pa gola.

Edhe Vllaznia e Migen Memellit ka zhvilluar po ashtu dy takime miqësore, një të cilën e ka fituar lehtë me rezultatin 4-0 ndaj Medjugorjes dhe është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Posusjes. Sfida e fundit për kuqeblutë para takimit të raundit të parë të Conference League është ndaj boshnjakëve të Igman Konjic në ditën e dielë.

Skuadrat shqiptare kanë punuar me shumë intensitet gjatë kësaj periudhe dhe janë munduar të zhvillojnë një fazë sa më të mirë përgatitore, shto këtu edhe transferimet, që për nga emri dhe rëndësia konsiderohen të bujshme për kampionatin shqiptar e që pritet t’i japin një impuls tjetër skuadrave në Europë, ku normalisht fokusi kryesor do të jetë kalimi i sa më shumë tureve.

Partizani do të jetë skuadra e vendit tonë që do të zbresë në fushë, teksa do të luajë më 11 korrik ndaj Bate Borisov në ”Air Albania” për kualifikueset e Champions League. 2 ditë më vonë, do të jetë Tirana që do të luajë në të njëjtin impiant, në eliminatoret e Conference League ndaj gjeorgjianëve të Dinamo Batumit. Egnatia do ta zhvillojë ndeshjen e parë jashtë fushës së saj ndaj armenëve të Ararat më 13 korrik, ndërkohë që edhe Vllaznia takimin e parë do ta zhvillojë në Irlandën e Veriut ndaj Lindifeld në të njëjtën datë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco