SYRI TV/ Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët, lutje për më shumë paqe e dashuri

13:04, 31/03/2024
A+ Aa A-

Pashkët katolike janë kremtuar këtë të diel nga besimtarët katolikë në të gjithë vendin. Ata uruan njëri-tjetrin për më shumë paqe e dashuri. Kjo festë që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij, përcjell shpresën se e mira triumfon mbi të keqen, dhe jeta mbi vdekjen.

Nga SYRI TV

Besimtarët katolikë në të gjithë vendin kanë kremtuar Pashkët. Mesha e shenjtë e Pashkëve Katolike, më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë për vetë simbolikën e ringjalljes, u mbajt në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Besimtarë të shumtë kryen lutjet dhe ritet e tyre, ndërsa urimet i përcolli edhe Imzot Arjan Dodaj.

Meshat u shtrinë në qytete të ndryshme të vendit. Besimtarët Katolikë të Beratit e Kuçovës, në vigjilje të festës së Pashkëve, i janë drejtuar Kishës Katolike “Zonja e Këshillimit të Mirë”. Prifti Don Paulo drejtoi lutjen e traditës sipas liturgjisë, teksa përcolli mesazhe të paqes e dashurisë dhe ndalimit të luftërave.

Besimtarët katolikë u lutën për paqe dhe jetë më të mirë, teksa në përfundim të Meshës së Shenjtë uruan njëri-tjetrin.

LUSHNJË

Besimtarët katolikë të Lushnjës u mblodhën në kishën e shenjtëve Pali dhe Pjetri për të marrë pjesë në meshën tradicionale të pashkës. At Pavlin Zefi drejtoi meshën, ndërsa në fjalën e tij përçoi mesazhet e domethënies së pashkës, si fitore e jetës mbi vdekjen.

PUKË

Në Pukë besimtarët katolikë u mblodhën në Kishën “Shën Gjon Pagëzori”, ku pritën ringjalljen si moment shprese për botën e trazuar. Ata u luten për më pak dhunë e varfëri, dhe më shumë besim e dashuri edhe ndër familjet e qytetit të tyre, ku mbizotërojnë largimet e përditshme.

FIER

Në Fier besimtarët katolikë kremtuan Pashkët në “Kishën e Zonjës së Papërlyer”. Dhjetëra besimtarë morën pjesë këtë të diel në meshën e ringjalljes së Krishtit, duke përcjellë mesazhe shprese dhe dashurie.

Të njëjtat mesazhe ndau në fjalën e tij edhe Dom Francesco Pasqua, i cili drejtoi liturgjinë e shenjtë me lutje ndaj Zotit.

DURRËS

Mesha e shenjtë u ndoq nga dhjetëra besimtarë edhe në Durrës. Kremtimet vijuan edhe këtë të diel në Kishën Shën Domenikane.

Mesnata e shenjtë solli për besimtarët katolikë lajmin e gëzuar se “Krishti u ringjall”, e bashkë me të edhe shpresa për botën. Kjo festë që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij, përcjell në vetvete shpresën se e mira triumfon dhe se besimi tek Zoti është ai që na duhet. Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të kishës katolike romake dhe kishave të tjera të krishtera që kremtojnë ringjalljen e Jezusit tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco