Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

Eshtra fëmijësh në kuti embëlsire dhe eshtra të rriturish në qese plehrash

Eshtra fëmijësh në kuti embëlsire dhe eshtra të rriturish në qese plehrash

21:27, 24/02/2024
A+ Aa A-

Elona Caslli

Eshtra fëmijësh në kuti embëlsire dhe eshtra të rriturish në qese plehrash.

Kushdo, që është përballur me pamjet e djeshme në emisionin 'Piranja', ka përjetuar pashmangshmërisht një pështjellim të skajshëm ndjenjash, teksa ka parë eshtra fëmijësh të futura në kuti ëmbëlsire dhe eshtra të rriturish në qese plehrash.

Përdhosja e të vdekurve është prova e pakundërshtueshme që një shoqëri ka prekur fundin.

Jeta është një dënim me vdekje për gjithkënd. Kush ka lindur është i paracaktuar të vdesë. I vetmi ligj para të cilit jemi të gjithë të barabartë është vdekja. Të gjithë do të shndërrohemi në një bashkësi eshtrash një ditë, por kjo nuk do të thotë se eshtrat tona meritojnë të futen në qese plehrash apo kuti ëmbëlsire.

Të shohësh eshtrat e një foshnjeje brenda një kutie ëmbëlsire?! Në njëjtën kuti që na serviret bakllavaja që blejmë, në po të njëjtën kuti gjenden edhe eshtrat e një foshnjeje në pseudomuralen në varrezat e Tufinës.

Kuti ëmbëlsire të mbuluara me plehra, disa të hapura dhe disa të mbyllura. Eshtra foshnjesh që ngatërrohen me njëra tjetrën, ndërkohë që çdo kuti ëmbëlsire e mbushur me eshtra, është një plagë e pambyllur për një nënë, për një baba, për një familje.

Të shohësh eshtrat e një rrituri brenda një qeseje të zezë plehrash?! Te e njëjta qese që e përdor për të hedhur plehrat e shtëpisë, të shohësh kafkën e një të rrituri mbuluar nga plehrat. Çdo qese plehrash përfaqëson eshtrat e dikujt që ka jetuar dikur. Përfaqëson një jetë, një frymë dhe një botë më vete, pasi kur vdes një njeri, vdes edhe bota e përveçme e tij.

Post Scriptum- Në një vend normal pamjet e djeshme do të kishin shkaktuar shkarkimin e menjehershëm të kryebashkiakut. Në një vend anormal kryebashkiaku ka liri absolute të përdhosë si të gjallët, ashtu edhe të vdekurit.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco