Ikja pas liberalizimit, vetëm gjatë 2024 parashikohet që 150 mijë qytetarë do ta braktisin Kosovën

Ikja pas liberalizimit, vetëm gjatë 2024 parashikohet që 150 mijë qytetarë do ta braktisin Kosovën

11:18, 24/11/2023
A+ Aa A-

Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Trendi i emigrimit të qytetarëve tashmë është në rritje.

Por, parashihet që vetëm brenda vitit të ardhshëm nga Kosova të ikin 150 mijë qytetarë.

Kosova duket se viteve të ardhshme do të ketë më pak banorë. Ikja e tyre në vende të ndryshme të botës, po parashikohet të ndodh në momentin që liberalizoheni vizat.

E kjo datë nuk është shumë larg.

Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, në një paraqitje për media ka treguar se në bazë të një hulumtimi nga Instituti “Riinvest” pritet që në vitin 2024, 150 mijë qytetarë të largohen nga Kosova.

“Dhe studimi i këtij institucioni (Riinvest) i ka vërtetuar të dhënat tona paralajmëruese të studimit. Kjo mesatarisht mund të jetë e përafërt e saktë, sepse nëse janë 360 deri në 380 mijë punëtorë, të cilët aktualisht janë kontributdhënës dhe fuqia punëtore po ashtu në Kosovë mund të jetë rreth 850 mijë punëtorë, pjesa tjetër dërmuese janë e papunë. Kjo del se ajo shifra rreth 150 mijë qytetarë të vendit seriozisht do ta rrezikojnë Kosovën dhe kjo është një zbrazje e Kosovës. Ata për fat të keq nuk janë vetëm punëtorë të papunë, por një numër i tyre janë punëtorë që janë në punë dhe kanë kontrata të punës”.

Shahini ka treguar se sipas një analize të AKB-së rreth 50 mijë punëtorë mund t’i kenë marrë këtë vit kontratat e punës për në vendet e tjera .

“Do të thotë nëse brenda tri viteve kanë ikur 150 mijë me dokumente të rregullta pune, në vitin 2024 do të shkojnë plus edhe 150 mijë të tjerë si turistë. Gjermania nga dhjetori ka liberalizuar tregun ku çdo qytetar i Ballkanit Perëndimor, i cili shkon në Gjermani si turist nëse bie në kontakt me një punëdhënës ai mund të lidh kontratë për një kohë shumë të shkurtë”.

Ai tha se në bazë të hulumtimit përveç faktorit ekonomik në ikjen e qytetarëve nga Kosova po ndikojnë edhe rrethanat politike.

Duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, sanksionet nga BE-ja, rënien e investimeve të huaja, Shahini thotë se këto kanë ndikuar që qytetarët e vendit të mendojnë se Kosova është në një gjendje të vështirë.

“Dhe ata mendojnë se e vetmja zgjedhje është Perëndimi për të shkuar për të siguruar veten, familjen e vet, standardin e vet”.

Ditë më parë Instituti Riinvest në Kosovë, kanë raportuar se 17.59 për qind e punonjësve të tyre i kanë njoftuar se do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm.

“Sektori i ndërtimit në Kosovë është më i prekuri sa i përket largimit të punëtorëve. Vlerësimet janë që 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm. Për të frenuar këtë trend, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Mbi një e treta e bizneseve raportojnë se do të vijojnë me rritjen e pagave, përderisa 24.5 për qind e tyre planifikojnë të përmirësojnë kushtet e punës”.

Ky institut ka rekomanduar që të bëhet rishikimi i politikave ekzistuese ekonomike dhe politikave buxhetore në favor të investimeve kapitale.

“Për dy-tre mujorët e parë të këtij viti rritja ekonomike ka ngadalësim, ndërsa pritjet janë që nuk do të ketë ndonjë ndryshim substancial edhe për muajt e ardhshëm e vitin vijues. Kemi pasur mbështetje të tepruar në faktorët e jashtëm dhe lënie pas dore e politikave në fuqizim të ofertës vendore konkurruese në tregun e brendshëm dhe atë të eksporteve. Ndërsa, edhe pse buxheti ka shënuar rritje vit pas viti, problematike mbetet struktura e pavolitshme e buxhetit. Buxheti është në dëm të investimeve kapitale”.

Kurse, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, pati thënë se edhe pagat më të larta nuk do të mund të ndalin të rinjtë të ikin nga vendi për të gjetur mundësi më të mira për punë.

“Këtyre punëtorëve që janë përcaktuar të ikin nga Kosova edhe nëse i japin pagë prej 1.000 eurosh, ata nuk do të qëndrojnë këtu. Njerëzit janë mbushur me premtime që nuk janë realizuar. Tani edhe ata që janë jashtë tregut të punës vështirë se mund të kyçen. Do të jetë e vështirë”.

Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend. Të fundit, të përpiluara nga ASK-ja dhe Banka Botërore, janë të vitit 2017. Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Me datën 1 të këtij muaji, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në dhjetëra vende të Evropës.

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të asaj që njihet si zona Schengen.

Por, udhëtimet e tilla duhet të shërbejnë vetëm për vizita turistike apo çështje familjare, dhe nuk nënkuptojnë assesi leje pune ose përfitime të tjera. Në vitet e fundit, mijëra qytetarë të Kosovës kanë marrë viza pune për në vendet e BE-së, e sidomos në Gjermani.

Vetëm vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është rritur për 110 për qind, në krahasim me vitin paraprak. Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka ende të dhëna për vitin 2022 dhe për këtë vit, por ato të vitit 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë, për arsye të ndryshme – në mesin e tyre edhe punësimi. Sipas ASK-së, shumica e tyre kanë qenë legalë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco