Debat për 'Qazim Mulletin' e levonjës, vëzhgimi i Syri TV: Vepra nuk ka asnjë rishikim ose rivlerësim

Debat për 'Qazim Mulletin' e levonjës, vëzhgimi i Syri TV: Vepra nuk ka asnjë rishikim ose rivlerësim

22:23, 06/12/2021
A+ Aa A-

Komedia “Prefekti” shkruar nga Besim Levonja dhe e sjellë nga trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar në Ditën e Pavarësisë, prej disa ditësh ka ndezur debatet në radhët e intelektualëve, komunitetit tiranas, si dhe të pjesëtarëve të familjes Mulleti. Komedia e vendosur në periudhën e pushtimit fashist tallet e përqesh prefektin e Tiranës Qazim Mulleti dhe drejtorin e policisë asokohe, Mon Kukaleshi. Komedia iu zhvesh cilësitë e mira tiransave të vjetër, duke i nxjerrë si të korruptuar e fetar. Feja në atë kohë merrte një konotacion jo të mirë, pasi vinte në qendër njerëzit reaksionarë e ata që ishin kundër rrymës. Në vepër hidhet baltë edhe mbi veriorët ose siç del në komedi, mbi personazhin nga Luma, i cili paraqitet si analfabet që shiste salep me ibrikë në dorë. Gjuha e përdorur, zanoret e zgjatura kanë vetëm një qëllim të stigmatizojë grupet shoqërore nga të gjithë zonat e Shqipërisë, duke shtrembëruar të vërtetën dhe duke denigruar mbi figurat e ndritura që i kanë dhënë shumë vendit. Në fakt, vepra vjen si nje karikaturë komuniste e Qazim Mulletit, që nuk i ngjan aspak intelektualit të njohur. Edhe pse institucioni i Teatrit Kombëtar më datë 28 Nëntor, kur vepra u risoll përmes leximit artistik e quajti si një përshtatje me këndvështrimin e sotëm, përmes një vështrimi vertikal, ne zbuluam se nuk ka asnjë rishikim apo ndryshim të komedisë “Prefekti” me interpretim të Robert Ndrenikës.

Siç e shihni nga momentet e shfaqjes që ju sollëm mësipër, pasthirrma e zgjatura ‘o’, çasti kur prefekti flet me Aliun shërbëtorin e zyrës për letrën që kishte ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjuha tallëse dhe shpërfillëse ndaj punonjësit të tij, kërcënimet e prefektit janë të njëjta në të dyja variantet e komedisë.

Mllefi ndaj njerëzve e transformon Prefektin, në një njeri që i kapërcen parashikimet. Në vepër ai rreket që gjithë dufin e tij t'ua transmetojë atyre që s'patën faj për atë që ndodhte, duke mos u lënë shtigje shpëtimi. Një ironi therëse dhe grotesku janë bashkëudhëtarë të pandërprerë nëpër komedi, ku sa te Ndrenika aq edhe te Derhemi përmes fjalësh të njëjta goditet dialekti i shqipes, kur shfaqet veriori, i cili nuk mund ta shmangte shpërthimin e Prefektit.

Premtimi për ta kthyer Tiranën në qendër burgjesh, për të denigruar ata që e mbështetën, qofshin të detyruar apo jo, monologu që e transformon Qazim Bej Mulletin, në një njeri me fuqi sa Zoti, duke i mveshur cilësi të një njeriu të pashpirt, që zhbën të vërtetën e madhe atë të një intelektuali, që e deshi Tiranën si rrallëkush vjen qartë si drita e prehet paralelisht në binomin prefekt të shfaqes dhe leximit artistik.

E megjithëse autori u ka dhënë jetë personazheve të tij fodulle, që nuk dinë ta përdorin siç duhet fuqinë që ju vjen përmes pozitës që kanë në shoqëri, një grua që do ta jetoj jetën, me arrogancë dhe me ton të lartë i kthehet keq shërbyeses së saj besnike. Hajria, e shoqja e Qazim Mulletit dhe Burbuqja, shërbyesja e saj kalojnë nga një situatë në tjetrën në udhë komike, ndërsa drama që i shfaqet shumë shpesh përgjatë veprës qëndron në idenë e shtypjes e fuqisë, që personazhet kryesor nuk dinë ta menaxhojnë.

Kur edhe biri kthehet kundra dhe çjerrë maskën e atit të tij, ku vlera e parave kishte peshë tjetër në një shoqëri që çmonte vetëm dukjen. Nga komedia në lexim personazhet janë po aq energjikë për të ngritur krye ndaj njeriut, që zotëron gjithçka e që nuk ka ndjeshëri as për njerëzit e afërt, shtrembërim i qëllimshëm i autorit, që me gjasë e pati harruar se sa ndihmues e i njerëzishëm qe Qazim Mulleti i vërtetë.

Nga një akt në tjetrin duket se nuk ka asfare ndryshim mes komedisë së dikurshme të ngjitur në skenë dhe asaj të risjellë nga Teatri Kombëtar. Të ngjashme janë edhe shpërthimet e personazheve, të cilët kalojnë nga një situatë në tjetrën, duke e lidhur lumturinë si një fije të hollë me veshje e sende, që të bëjnë të kuptosh se materializmi ishte mbi gjithçka, në një botë të konceptuar mjerisht nga autori. Në skenën kur paraqitet gruaja e doktorit dhe Hajria, që deliron po dhe ndihet e lënë pasdore nga i shoqi që nuk i ka blerë fustane thellohet më tej shpirtvogëlsia e personazheve që jetojnë për dukje.

"Ca tregëtar janë duke më detyruar që ta çojë kryeqytetin në Durrës" shprehet Prefekti i të dyja shfaqjeve. Po lidhja e ngushtë me Qazim Beun e shpëton Hasan Agën, që ishte një tjetër i kapur që do t'i nënshtrohej dënimit, po të mos kishte interesa drejtuesi. Një figurë e nënshtruar, që mundohet të mbaj ekulibrin, që 'shet' pa të keq të birin, që pati shpërndarë komunikatën e famshme, të cilën prefekti e gjen prej fillimit në tavolinën e tij të punës. Zëri i drejtuesit është i lartë për të treguar pushtetin e për të ulur ata që ka pas vetes.

Grotesku thellohet në skenën kur banorët e fshatit paraqiten te Prefekti. Përmes lojrash e fjalësh ai godet ashpër edhe zonat nga të cilat ata vijnë, me nënqeshjen e hidhur që e bashkëshoqëron gjatë gjithë veprës e në të dyja variantet e komedive, ku luan Robert Ndrenika, po edhe Arben Derhemi.

Farë e frikshme i quan Qazimi qytetarët. Ai revoltohet kur ka kryengritje, kur e drejta kërkohet aty ku nuk e pret, megjithatë prefekti fodull e arrogant i Levonjës e ka fare të zakonshme pjesën e shpëtimit, kur s'arrin t'u bëj ballë çështjeve apo ndodhive.

Në këtë vështrim të detajuar të disa prej skenave më të famshme të komedisë vëmë re që binomi prefekt e gjithë çka ndodh, përfshirë këtu edhe interpretimin tallës të Derhemit është e ngjashme me interpretimin e Ndrenikës dhe me variantine parë të komedisë që njihet nga njerëzit. Nuk e dimë a pyeti ndonjëherë autori se çfarë bëhej me personazhet realë të kësaj komedie dhe, nëse e dinte, a e ka vrarë apo jo ndërgjegja ndonjëherë për këtë që bëri? Vështirë të besohet se po! I vetmi njeri që kërkoi fajle publike është aktori Robert Ndrenika që u bë pjesë e lojës dhe gjithë kësaj tragjedie të familjes Mulleti. Por Ndrenika e intepretoi rolin vonë, në 1974. Pas të qeshurave dhe humorit në skenë, në jetën reale personazhet e kësaj komedie, Hajria dhe Reshiti, jetonin ferrin e vërtetë komunist, një tragjedi e pashembullt. Kjo nuk është e para herë që kjo komedi ka qenë mes debateve pro dhe kundër, ndërsa debati ka shkuar përtej, për të ndaluar çdo vepër të prodhuar në kohën e komunizmit, që denigron figurat që kanë kontribuuar për vendin, ashtu siç ishte intelektuali i njohur Qazim Mulleti. Në të vërtetë ai qe një personazh i rrallë. Historia jonë është treguar e rreptë dhe e padrejtë me të. I diplomuar në Universitetin e Gallatasarajt e më tej në Akademinë diplomatiko-ushtarake të Vjenës, ai ishte një nga poliglotët e rrallë që ka pasur Shqipëria.

Njihte dhe fliste  turqisht, greqisht, gjermanisht, arabisht, serbisht, italisht, latinisht dhe frëngjisht. Emrin e tij e hasim në ngjarjet kryesore historike të Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë me ngritjen e flamurit në Tiranë dhe në Vlorë, më tej si një prej katër adjutantëve të Princ Vidi, si pjesëmarrës energjik në Kongresin e Lushnjes, si komandant i forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve nga serbët, mbështetës i qeverisë së parë në Tiranë, e më tej i pozicionuar në rradhët e opozitës si fanolist i bindur. Që prej shtypjes së revolucionit të qershorit 1924, ai merr rrugët e mërgimit. Në Vjenë martohet me Hajrie Kusin dhe pati nji djalë të vetëm: Reshitin, i cili u rrit pothuajse me figurën e munguar të të atit. Pas pushtimit të Shqipërisë, Qazim Mulleti kthehet në atdhe, ku ushtron për pak vite detyrën e kryebashkiakut të Tiranës dhe atë të prefektit. Në fund të Luftës, ai merr sërish rrugën e mërgimit duke lënë në Shqipëri bashkëshorten dhe dhjalin e vetëm, të cilët nuk do t’i shihte më kurrë. Por ndryshe nga ky profil, për 50 vjet të regjimit komunis, shqiptarët e personifikuan Qazim Mulletin me një figurë groteske. Kjo për shkak të komedie,së, ku e tallën dhe e fyen atë dhe familjen e  tij, duke përdorur për personazhet e komedisë emrat e tyre realë. E ndërsa ne shpresojmë për një reflektim të atyre që e rizgjuan komedinë, që ngacmon plagët e atyre që e jetuan komunizmin me vuajte e tortura, Qazim Mulleti do të ngelet përjetë si figura që i dha shumë Tiranës e gjithë Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco