VIDEO/ Të rinjtë shpjegojnë pse zgjedhin të largohen nga vendi, që nga 2011 popullsia ka rënë 2,7%

VIDEO/ Të rinjtë shpjegojnë pse zgjedhin të largohen nga vendi, që nga 2011 popullsia ka rënë 2,7%

09:20, 26/09/2021
A+ Aa A-

Rënia e numrit të lindshmërisë dhe emigrimi masiv, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e numrit të popullsisë shqiptare, e cila që prej vitit 2011 sipas INSTAT ka pësuar një rënie prej 2,7 %. Sociologia Marsida Simo ka folur për këtë fenomen, ndërsa të rinjtë pohojnë se e shohin më të sigurt të ardhmen jashtë vendit.

Nga SYRI TV.

Më 1 janar të vitit 2021 popullsia e Shqipërisë rezulton të jetë 2,83 milionë banorë. Krahasuar me vitin 2011, ky numër ka pësuar një rënie me 2,7 %.

 Sipas këtyre të dhënave të INSTAT, rezulton se zvogëlimi i popullsisë mund të ndikojë negativisht edhe në rritjen ekonomike, pasi do të ketë më pak kërkesa për konsum dhe investime.

Një ndër faktorët më shqetësues për këtë fenomen, konsiderohet rënia e numrit të lindshmërisë. Gjatë periudhës 2011-2020, numri i lindjeve në vit ka pësuar një rënie të ndjeshme: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 28 mijë në 2020.

Krahas kësaj, edhe migrimi ka ndikim të madh në popullsi. Që nga viti 1990 popullsia e Shqipërisë filloi të ulet si pasojë e një emigracioni masiv. Ndërsa vetëm gjatë viteve 2011-2020, mesatarisht 42 mijë persona kanë emigruar çdo vit.

Janë kryesisht të rinjtë ata që synojnë të jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar mundësi më të mira për të ardhmen në punësim, arsimim e kujdes shëndetësor.

Sipas tyre, Shqipëria është një vend që nuk të ofron siguri për të jetuar në mirëqenie, e madje as për të ndërtuar familje. Të rinjtë theksojnë se faktorët që ndikojnë në pasigurinë e tyre për të jetuar në Shqipëri janë kryesisht ato ekonomikë e socialë.

Sociologia Marsida Simo, në një intervistë për SYRI TV pohon se numri i martesave dhe lindshmërive kanë pësuar rënie, ndërsa shpjegon edhe arsyet që kanë çuar në situatën aktuale.

Por krahas largimit të të rinjve, sipas statistikave vendi ynë po përballet edhe me plakje të popullsisë. Sipas INSTAT grup-mosha e popullsisë 0-14 vjeç ka rënë nga 21,6 % në vitin 2011 në 16,5 % në 2021, grup-mosha e popullsisë 15-64 vjeç ka qëndruar thuajse e njëjtë, duke pësuar një rritje të lehtë, nga 67,4 % në vitin 2011, në 68,2 % në vitin 2021, ndërsa grup-mosha e popullsisë mbi 65 vjeç është rritur nga 11% në vitin 2011 në 15,2 % në vitin 2021.

Si pasojë e faktorëve të sjellë në vëmendje jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga ekspertë, sociologë e psikologë, Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme të popullsisë përgjatë viteve të fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco