Alkidi, një shqiptar në vullkanin e zemëruar të Islandës

Alkidi, një shqiptar në vullkanin e zemëruar të Islandës

08:56, 23/03/2021
A+ Aa A-

Islanda, ky vend ishullor, i pikasur në hartën e botës për frymëmarrjen e zjarrtë të tokës, është prej ditësh kryefjala e mediave botërore. Një vullkan ka shpërthyer të premten mbrëma në jug-perëndim të kryeqytetit Reykjavik, dhe bëhet fjalë për një çarje 500-700 metra të gjatë në Fagradasfjall, në gadishullin Reykjanes, që rikthen në vëmendje kapriçot e tokës së largët e të fjetur prej 800 vitesh.

Sakaq, mes hirit dhe tymit, një i ri shqiptar, i shtyrë nga kurioziteti dhe çapkënëria e dukurisë sipërfaqësore në formë kupe, ka shkelur në zonë, dhe ka dokumentuar jo pak imazhe impresionuese. Ai është Alkid Kurtallari, 30 vjeç, me profesion mekanik. Ky djalë me rrënjë nga qyteti verilindor i Kukësit, jeton prej 4 vitesh në shtetin ishullor nordik. Si jo pak shqiptarë.

Në krahasim me vendet perëndimore, ku rezultojnë të shumtë në numër, në Islandë besohet të jenë rreth 500 shqiptarë. Një numër që në dukje perceptohet i vogël, por jo kur risillet në vëmendje numri total i banorëve (330 mijë). Alkidi pohon se ndodhet 3,614 km larg Shqipërisë, me një ëndërr që dikur i dha guxim; të paturit një punë dinjitoze e shpërblyese.

Në një intervistë ekskluzive për Alessia Selimin e MAPO, Alkidi, ky dashamirës i ekzotikës, por edhe i një të ardhmeje të sigurt, fundja, sikundër çdo njeri i mpleksur me vullkanet e së tashmes, rrëfen momentet e para, përjetimet dhe ndjesitë e të qenit nën të njëjtën tokë ku shtrihet aspak mëshirshëm e nxehta llavë. “Jo shumë larg qytetit ku jetoj, po ndiheshin tërmete gati çdo minutë, dhe nuk ishte numër i pakët i atyre me magnitudë 5.5. Një situatë e tillë u zgjat në kohë për gati 1 muaj, dhe gjithkush që jeton në Islandë, e parashikonte një shpërthim të ngjashëm vullkani, nisur edhe nga historiku”, tregon fillimisht i riu shqiptar.

“Projektimet nuk ishin aspak të gabuara. Kurioziteti ishte i tejskajshëm, edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për islandezët. Doja të shkoja menjëherë, një ditë më pas, por ishte e pamundur. Rrugët ishin të bllokuara nga Policia, për arsye sigurie.

Dhe e njëjta situatë paraqitej edhe mbi kokat tona. Dhjetëra helikopterë përshkonin terrenin ajror, shqyrtonin nga çdo pikë e mundshme zonën e vullkanit.” Alkidi thotë se kjo gjendje nuk zgjati më shumë se dy-tre ditë, dhe se rrjetet sociale po gëlonin nga fotografi e video në vendngjarje. Kësisoj, i bindur se nuk donte të ishte spektator i largët, nxiti miqtë dhe ndërmori rrugën drejt Fagradasfjall-it. “Morëm një nga makinat tona 4×4 dhe udhëtuam deri në një farë pike, pranë malit, sepse deri aty ishin të lejuara mjetet”, – vijon Alkidi.

“Fill pasi zbritëm, ecëm gati për 2 orë e 30 min, dhe për të qenë i sinqertë, u surprizova; kishte qindra njerëz që vinin e shkonin pranë tokës së çarë. Për të mos folur për pamjen, ishte mbresëlënëse, ndiheshe tepër i vogël, thuajse i papërfillshëm për tënden ekzistencë, për më tepër, ishin të pashmangshme mendimet se, beteja mes natyrës e njeriut, ka gjithmonë një fitues, që nuk është aspak ky i fundit.”

Nën çantën e tij, shqiptari nuk ka marrë atë çka do të donte të merrte për rijetësim të vazhdueshëm të momentit, fjala vjen një copëz llavë. Por, padyshim, imazhet janë me tepri, në aparatin telefonik. Ndërkohë që rrjetet sociale shërbejnë si urë komunikimi, Alkidi nuk ngurron të ndajë edhe aromën e mbetur në kujtesë. “Pështjelluese, e tmerrshme, e keqe deri në atë stad që nuk do e besoja kurrë se një shpërthim vullkani mund ta shkaktonte”, – shprehet 30-vjeçari, i pakursyer në ikona e gogolka të qeshura.

“Por ajo çfarë ishte me të vërtetë surprizuese ishte ngjyra e llavës: shumë, shumë më intensive nga ç’duket në foto e ç’mund të pritet.” Rebelimet vullkanike janë sigurisht të tmerrshme, ndonëse disa shpërthime të lehta mund të ofrojnë pamje magjepsëse. Një i paharrueshëm është ai i vullkanit Eyjafjallajökull në 2010. Asokohe fluturimet u bllokuan dhe trafiku rrugor po ashtu, për shkak të shtëllungave të dendura të tymit.

Sidoqoftë, Fagradasfjall nuk pritet të nxjerrë aq shumë hi, ndaj aviacioni nuk mendohet të preket. Këtë e pohon edhe Alkidi, nisur nga informacionet e përditësuara. Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave deklaron se nuk parashikohen evakuime sepse vullkani është në një luginë të largët, dhe kjo i jep kuptim qetësisë së banorëve të ishullit, po ashtu kuriozitetit dhe dëshirës për ta parë e kuptuar më nga afër një të sajin shpërthim; derdhjen e ftohjen e llavës, si dhe format e veçanta të relievit.

Mes tyre ndodhej Alkidi, djali nga Kukësi, mes kupave dhe pllakave vullkanike. Si për të treguar se sot, teknologjia afron jo vetëm njerëz edhe vende, por edhe nxehtësinë e një vullkani./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco