Zyra e OKB në Shqipëri: Dhënia fund e dhunës seksuale kërkon investime dhe aktivizim të mbarë shoqërisë

Zyra e OKB në Shqipëri: Dhënia fund e dhunës seksuale kërkon investime dhe aktivizim të mbarë shoqërisë

16:17, 09/06/2020
A+ Aa A-

Rastet e kohëve të fundit të abuzimeve seksuale, duke përfshirë atë të një adoleshenteje në kryeqytet dhe në Komisariatin e Policisë në Shkodër, kanë shkaktuar indinjatë të gjerë mes shqiptarëve. Çdo formë e abuzimit seksual ndaj një të mituri përbën krim dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut me pasoja shkatërruese sa u përket vuajtjeve të individit.

Protesta që u realizua në Tiranë dhe në qytete të tjera javën e kaluar i dha zë mosbesimit të njerëzve në mënyra që shumë e konsiderojnë të paprecedentë. Mijëra protestues kryesisht të rinj dolën në rrugë për t’i thënë mjaft patriarkalizmit, duke mos e pranuar nocionin e të jetuarit në një shoqëri që nxit dhunën, abuzimin dhe diskriminimin dhe që justifikon dhunën ndaj grave, vajzave dhe fëmijëve.

Të rinjtë shqiptarë kërkojnë drejtësi, llogaridhënie dhe respektim të dinjitetit njerëzor.

Këto janë vlerat që ata duan ta formësojnë vendin e tyre në vitet që vijnë. Ata brohoritën ‘Ti nuk je vetëm!’, duke konfirmuar edhe një herë vendosmërinë e tyre për të qenë agjentë të ndryshimit.

Ngjarjet e javës së fundit mund të shënojnë një fillim të ri në luftën kundër abuzimit seksual dhe dhunës me bazë gjinore. Po si mund të sigurohemi se ky nuk ka për të qenë një shans i humbur?  Çfarë rruge duhet ndjekur? Sipas të dhënave më të fundit, të paktën një në çdo dy gra në Shqipëri ka përjetuar një lloj dhune, duke përfshirë dhunën në familje ose dhunën seksuale, ngacmimet, dhunën nga persona të tjerë jo-partnerë, martesën e detyruar dhe përndjekjen.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se 26% e grave të moshës 18-74 vjeç besojnë se gruas duhet t’i vijë turp të flasë me dikë nëse e kanë përdhunuar, kurse 21% besojnë se nëse një grua përdhunohet, ajo ndoshta është vendosur në atë situatë sepse është treguar e pakujdesshme. 60% e krimeve seksuale kryhen ndaj fëmijëve ku pothuajse një në çdo dy fëmijë vuan nga sulmet fizike ose psikologjike. Të dhënat tregojnë gjithashtu një lidhje të fortë mes abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe dhunës me bazë gjinore në moshë të rritur.

Dhuna mund të zhduket, por ajo kërkon reagime në shkallë sistemi. Për të pasur rezultate afatgjata, kjo ‘pandemi në hije’ duhet të adresohet në të gjithë tërësinë dhe kompleksitetin e vet, duke u dhënë përparësi katër qasjeve strategjike.

Së pari, duke siguruar lidership dhe llogaridhënie: parlamenti, qeveria dhe gjyqësori duhet ta shohin si prioritet dhunën ndaj fëmijëve dhe dhunën me bazë gjinore; e gjithë ‘makineria’ e promovimit të barazisë gjinore dhe të drejtave të fëmijëve duhet të fuqizohet mjaftueshëm dhe të pajiset me burimet e nevojshme për të qenë në krye të reagimeve përmes një veprimi të koordinuar që përshkon të gjithë sektorët. Lidershipi politik është i rëndësishëm, duke përfshirë edhe përmes Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore dhe për të Drejtat e Fëmijëve dhe Mbrojtjen e tyre. Institucionet kombëtare janë ato që duhet të drejtojnë masat e marra, të monitorojnë progresin e arritur dhe të përshtasin rrugën përpara, duke mësuar nga sukseset dhe nga dështimet. Kjo përfshin një koordinim më të mirë me aktorët vendas: me kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, policinë, gjykatat, Mekanizmat e Koordinuar të Referimit, drejtuesit e shkollave dhe me punonjësit socialë. Ata qëndrojnë në krye të këtyre masave dhe duhet të jenë në gjendje të përmbushin përgjegjësitë që u takojnë.

Së dyti, nevojiten investime më të mëdha për të garantuar zbatimin e plotë të ligjeve ekzistuese. Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në harmonizimin e kuadrit të saj ligjor me standardet normative ndërkombëtare kyçe, ndonëse ende nevojiten ndryshime të tjera penale dhe administrative sa i përket dhunës seksuale, ngacmimit seksual dhe përndjekjes. Për më tepër, ky është momenti për të ecur më shumë me zbatimin dhe për të pasur të gatshme një menu të plotë shërbimesh, nga e cila mund të përfitojnë të gjithë ata që kanë nevojë. Këtu përfshihet ndihma ligjore për të mbijetuarit, zbatimi në kohën e duhur të urdhërave të mbrojtjes, strehëzat funksionale në rast emergjence, këshillimi shëndetësor dhe psikologjik, mbrojtja sociale, strehimi dhe mundësitë për të ardhura dhe shumë më tepër. Mekanizmat ekzistues të referimit janë ende larg të qenit të financuar si duhet dhe të plotësuar me stafin e nevojshëm. Për shembull, janë të pakta ato bashki që mund të kenë koordinatorë me kohë të plotë për dhunën në familje, përpjekjet e shoqërisë civile nuk i kanë të gjitha burimet e nevojshme, qendra LILIUM ka nevojë për mbështetje shtesë, punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve shpesh nuk e kanë formimin dhe trajnimin e duhur, ndërsa linjat telefonike të mbështetjes nuk janë të financuara plotësisht. Zbatimi jo i mirë i të gjithë kuadrit ligjor çon në një nivel të ulët besimi te sistemi, duke bërë që viktimat të mbeten në hije.

Së treti, duhet të dyfishohen përpjekjet për nxitjen e edukimit, ndërgjegjësimit dhe dialogut. ‘Nuk është faji yt’ dhe ‘Edukoje tët bir’ ishin disa prej mesazheve kryesore të protestave të fundit të të rinjve. Ato tregojnë qartë se çfarë drejtimi duhet të marrin përpjekjet në këtë vend. Mosmbrojtja e fëmijëve nga sistemi u ka dhënë mundësi atyre që kanë përgjegjësinë për t’i mbrojtur që të kthehen në abuzues. Burrat dhe djemtë shqiptarë vazhdojnë të luajnë role gjinore të stereotipizuara, duke çuar në një cikël vicioz agresiviteti. Siç shprehet shkrimtarja feministe Chimamanda Ngozi Adichie “Maskuliniteti është një kafaz i vogël dhe i vështirë dhe brenda këtij kafazi ne vendosim djemtë”. Paralelisht me përpjekjet për t’i bërë djemtë shqiptarë që të kuptojnë se burrat e vrëtetë janë feministë, duke ndihmuar vajzat që të jenë plotësisht të vetëdijshme për vlerën e tyre është vendimtare që të luftojmë stereotipet e dëmshme që nuk i lejojnë ato të kuptojnë potencialin e tyre të plotë në moshë të rritur. Na duhet angazhimi i të gjithë shoqërisë. Shkollat mund të jenë ato që vihen në krye të luftës kundër vlerave patriarkale, duke mobilizuar nxënësit, prindërit, kujdestarët dhe anëtarët e komunitetit në diskutime rreth të drejtave të njeriut, mbrojtjes së fëmijëve, edukimit mbi seksualitetin, maskuliniteti, fuqizimin e vajzave, vetëmbrojtjen si dhe përdorimin e mediave sociale.

Së katërti, informimi publik dhe komunikimi luajnë një rol masiv në çrrënjosjen e kulturës së dhuëns seksuale dhe abuzimit. Pushteti i medias duhet të kanalizohet për mbështetjen e të mbijetuarve dhe jo të autorëve të dhunës. Media mund të jetë pjesë e zgjidhjes, duke ofruar hapësirë për debat publik, duke u dhënë zë të rinjve që janë të vendosur për të sfiduar status quo-në, ndërkohë që vazhdon të raportojë për zbatimin e ligjeve dhe politikave në këtë fushë. Në të njejtën kohë, nuk është asnjëherë e tepërt të theksohet zbatimi i normave ekzistuese dhe kodeve të sjelljes për mbrojtjen e privatësisë së të mbijetuarve. Informacionet e publikuara së fundmi që tregojnë hollësi personale për viktimat nuk duhet të tolerohen sidomos në rastin e fëmijëve.

Diskriminimi dhe dhuna nuk zhduken sa hap e mbyll sytë. Por nëse nxiten në të katërta fushat e mësipërme, mund të shohim ndryshime thelbësore. OKB-ja në Shqipëri mbështet institucionet publike dhe shoqërinë civile për nxitjen e një mjedisi të sigurt për gratë, për djemtë dhe vajzat, në shtëpi, në shkollë, në punë, në vende publike dhe private. Familja e OKB-së do të vazhdojë të nxisë masat dhe dialogun për çështje që janë thelbësore për arritjen e objektivave të zhvillimit të qendrueshëm dhe integrimit të BE-së. Rishikimi së afërmi i arritjeve të rëndësishme në axhendën e politikave kombëtare, si për shembull rishikimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, si dhe Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore, si dhe Axhendës Kombëtarë për të Drejtat e Fëmijëve, ofron një mundësi për t’i dhënë një kuptim konkret këtij dialogu dhe shkëmbimi. Kemi kaq shumë për të bërë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco