Konfirmohet një rast me Covid-19 në Poliçan, 10 mijë banorë në karantinë

Konfirmohet një rast me Covid-19 në Poliçan, 10 mijë banorë në karantinë

14:10, 06/04/2020
A+ Aa A-

Një 79-vjeçar nga qyteti i Poliçanit ka rezultuar pozitiv me Covid-19. I moshuari me inicialet A. L., kishte 5-ditë me temperaturë 38, me probleme të theksuara në frymëmarrje, me kollë mbytëse, me diarre 2 herë në ditë, dhimbje gjoksi dhe muskulare dhe po trajtohej me oksigjeno-terapi.

Gjendja e pacientit ka ardhur duke u rënduar dhe aktualisht ai ndodhet i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve. I moshuari me inicialet A.L ka pasur kontakt me djalin e tij 30-vjeç, të ardhur nga Greqia në 5 mars 2020.

Gjatë periudhës së karantinës i biri nuk ka shfaqur asnjë simptomë, ndërkohë që prej 2-ditësh ai ka kollë të thatë, dhimbje fyti, dhimbje gjoksi dhe muskulare dhe temperaturë 37.8  gradë. 30-vjeçari E. L., mjekohej herë pas here për bronkopneumoni bilaterale dhe tashmë po trajtohet me trajtim ambulator në Qendrën Shëndetësore në Poliçan.

Burimet zyrtare nga Drejtoria e Epidemiologjisë dhe Shëndetit Publik Berat konfirmojnë se,pas konsultave me mjekun infeksionist dhe hetimit epidemiologjik u vendos marrja e tamponit për të dy pacientët dhe vetëm 79-vjeçari ka rezultuar pozitiv, ndërkohë që testi i djalit të tij 30-vjeçar ka rezultuar negativ.

Të njëjtat burime konfirmojnë se po vijon ndjekja dhe hetimi epidemiologjik i kontakteve të të moshuarit, që dyshohet se janë të shumta.

Kryeinfermierja e Qendrës Shëndetësore Poliçan, Çerçina Jonuzi, ka deklaruar se i gjithë stafi mjekësor prej 30 personash i kësaj qëndre është i rrezikuar pasi i moshuari vinte thuajse çdo ditë në qëndrën shëndetësore sepse vuante nga sëmundje shoqëruese dhe për këtë arsye merrte mjekim.

Në disa raste edhe punonjësit e qendrës shkonin për ta vizituar atë edhe në banesë. Sipas kryeinfermieres, i gjithë stafi i qendrës do të futet në karantinë.

I ashpër ka qënë edhe reagimi i kryetarit të bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, i cili ka konfirmuar se i gjithë qyteti do të futet në karantinë. Ai deklaron se heqja e postobllokut në hyrje të qytetit pas konflikteve me policinë, e bëri të pamundur filtrimin e personave që hynin e dilnin në qytet. Zotkaj ka deklaruar se pas konfirmimit të rasti të parë, 10 000 banorët e Poliçanit janë në rrezik serioz për jetën sepse vuajnë nga sëmundje të mushkërive dhe sëmundje profesionale, për shkak të punës që kanë kryer në Kombinatin Mekanik të Armëve në Poliçan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco