Studimi/ COVID-19 mund të ketë lidhje me mikrobiotën intestinale

Studimi/ COVID-19 mund të ketë lidhje me mikrobiotën intestinale

18:37, 26/03/2020
A+ Aa A-

Sipas një ekipi kinez, ekziston mundësia që COVID-19 të ketë lidhje me mikrobiotën intestinale.  "Hamendësojmë se probiotikët mund të modifikojnë mikrobiotën intestinale, për të ndryshuar në mënyrë të favorshme simptomat gastrointestinale dhe gjithashtu, të mbrojnë sistemin respirator", shkruan Qin Yan Gao nga Universiteti i Shanghait "Jiao Tong" dhe kolegët e tij, në një editorial të botuar në "Journal of Digestive Diseases".

Është zbuluar se coronavirusi i ri mund të lidhet me enzimën e konversionit të angiotensinës 2 (ACE2), e cila është shumë e shprehur në epitelin e mushkërive dhe zorrëve të njeriut. Për më tepër, duket se te pacientët me COVID-19 mund të vërehen anomali hepatike, duke e lidhur virusin me ACE2 të kolangiociteve.

Më parë është raportuar se këta receptorë gjenden kryesisht në sipërfaqen luminale të qelizave të vogla epiteliale të diferencuara të zorrëve dhe në një masë më të vogël, në ato të kriptës dhe në zorrë të trashë. Për më tepër, është sugjeruar një lidhje e funksionit të transportit të aminoacideve të ACE2 me ekologjinë mikrobike në traktin gastrointestinal. Ndonëse për momentin nuk është ende plotësisht e qartë, ekziston mundësia e një ndërveprimi midis mushkërive dhe zorrëve.

Në fakt, pacientët me infeksione respiratore, zakonisht vuajnë nga mosfunksionimi i zorrëve ose ndërlikimet e tyre sekondare, që lidhen me një kurs klinik më serioz të sëmundjes.

"Ky fenomen mund të vërehet te pacientët me COVID-19", shkruan Gao. Modifikimi i mikrobiotës intestinale mund të reduktojë enteritin dhe pneumoninë, të lidhura me ventilimin dhe të kundërshtojë efektet anësore të antibiotikëve, në mënyrë që të shmanget replikimi i virusit të gripit në epitelin pulmonar. "Aktualisht, nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë klinike që tregon se modifikimi i mikrobiotës së zorrëve luan rol terapeutik në trajtimin e COVID-19, por ne hamendësojmë se shënjestrimi i mikrobiotës së zorrëve mund të jetë një mundësi e re terapeutike ose të paktën, një zgjidhje ndihmëse terapeutike", thotë Gao.

Duhet shënuar këtu se një udhëzues kinez rekomandon përdorimin e probiotikëve për të ruajtur ekuilibrin e mikroekologjisë intestinale dhe për të parandaluar infeksionin dytësor bakterial te pacientët me COVID-19. Për autorët, mjekët duhet t'u kushtojnë vëmendje pacientëve me simptoma gastrointestinale, veçanërisht në zonat epidemike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco