FOTO/ 'Kam frikë se do vdesë babi', shqiptarët në këmbë pas lotëve të vajzës

FOTO/ 'Kam frikë se do vdesë babi', shqiptarët në këmbë pas lotëve të vajzës

20:42, 16/05/2019
A+ Aa A-

Është 12 vjeçe Silva Çipi, por ajo së bashku me motrën e vogël dhe vëllain e saj kanë vuajtur gjatë, një det lotësh për skamjen që i përplas përditë dhe sëmundja e babait të tyre.

Gëzim Çipi jeton pranë bombulës së gazit. Astma nuk e lë të punojë. Njëri sy është thuajse i ikur, ndërsa këmbët e tij janë prekur nga ekzema.

Historia dramatike e familjes shqiptare ndodh pak kilometra larg Elbasanit. Jetojnë në një shtëpi me qira dhe muajin e ardhshëm duhet të dalin. Jashtë i pret një çadër që përdoret për rastet e ndihmës. Copat e leckës do të jenë që nga muaji qershor “muret” e shtëpisë.

Në emisionin shqiptarët për shqiptarët, familja bëri thirrje për ndihmë. Posaçërisht Silva 12 vjeçare dhe lotët e saj , prekën dhjetëra e qindra shqiptarë. Një e mitur që nuk ka asgjë dhe frikësohet dita ditës, se pas një dite shkolle nuk do ta gjejë më gjallë të atin.

Silva: Jam pa shtëpi dhe babin e kam të sëmurë. Kam frikë se vdes babi (qan)… ndihem shumë keq por nuk kam çfarë të bëj. Babi është shumë sëmurë. Lekë nuk ka që të shërohet. Babi nuk do të më shohë që të qaj për atë… ai më thotë që ai një ditë do të vdesë. Mami qan shpesh dhe e shoh që fshihet sepse nuk do ta shikojmë ne. Kemi nja një vit që kemi ardhur këtu. Kemi ndenjur tek ajo shtëpia matanë dhe më pas nuk kishim mundësi të jetonim atje me qera dhe dolëm në çadër. Çadra na u gris… (qan) gjyshi na ndihmoi duke paguar një shtëpi me qera ku jemi sot, por edhe aty është shumë ftohtë. Të gjithë të mërzitur janë, por unë jam më shumë e mërzitur. Unë Nuk kam asgjë…

Elvis Naçi së bashku me Sidrit Bejlerin shkuan ta vizitojnë në Krastë të Elbasanit familjen Çipi. Drithërues ishin lotët e asaj vajze thotë Elvis Naçi, para se të hyjë në derën e shtëpisë. Kësaj here ai do ta shohë vetë me sy dhimbjen e kësaj familje.

Naçi: Pse qan shpirt? Mos qaj, ne kemi ardhur për mirë. Babi do të bëhet mirë, mos u mërzitni.

Gruaja: Mbrëmë ka qenë keq, fryma i merrej, syri i digjte.

Babai: Kam astmë, syri duhet të bëhet operim, mu shpifën dhe këmbët, shpatullën nuk e ndiej më… po s’kam çfarë të bëj

Naçi: Mos u mërzit, ti nuk ke faj për këtë që ka ndodhur. Zonjë, do të them diçka, e para ne kemi ardhur që brenda mundësive lotët me i tha dhe me bërë diçka të mirë për familjen tuaj. Nga ajo që pamë… bashkëshortin që është i sëmurë dhe shëndeti është gjëja parësore. Ne do ta marrim përsipër që të shikojmë se çfarë problemi ka. Gjërat nuk janë të thjeshta, por të gjithë bashkë do të mund të bëjmë një të mirë.

Naçi: Silva mos qaj, çfarë gjërash kërkon ti?

Silva: Që të shërohet babi dhe të kem një shtëpi. Kur shoqja pati ditëlindjen s’munda t’i blej asnjë dhuratë (qan)

Naçi: Po ti dëshirën e ke patur, mos u mërzit se nuk e ke patur mundësinë.

Një autoambulancë vjen për të marrë Gëzimin dhe për ta çuar sa më parë në Tiranë në spital. Gjendja e tij është rënduar shumë ditët e fundit. Me të ardhur karroca me rrota, fëmijët përloten thellë dhe përqafojnë babain, sikur ta shihnin për herë të fundit.

Sidrit Bejleri shkoi të takojë Gëzimin dy ditë pas qëndrimit në spital. Kryefamiljari ndihet më mirë fizikisht, ka filluar disa ushtrime për frymëmarrjen ndërsa analizat i janë bërë. Bejleri i tregon se i ka mbetur në mendje momenti kur u largua nga shtëpia. Fëmijët nuk pushonin së qari dhe e kërkonin “ku është babi”, “kur do të vijë”. Gëzimi preket dhe përlotet nga fjalët. Thotë se e ka marrë malli shumë.

Elvis Naçi së bashku me bashkëshorten nga ana tjetër shkojnë në Krastë për të vizituar familjen. Silva përlotet dhe i thotë se ka dëshirë të shohë babin, e ka marrë malli. Dëshirat e kësaj vajze është e vështirë të mos mundohesh t’i plotësosh kur ke parë në çfarë skëterre jeton ajo.

Naçi: Silva nuk është mosha jote që ti të derdhësh aq shumë lotë e të kesh aq shumë dhimbje mbi shpatulla. Tani jemi tek tuneli i Elbasanit. Tuneli është pak i gjatë, por mos u mërzit, sepse ky tunel sado i gjatë që të jetë… do ta shikosh, se pasi i vjen fundi del drita dhe dielli. Kështu është dhe jeta e njeriut. Ka raste kur ka vështirësi porse në fundin e tunelit ka një dritë. Njeriu kur del nga errësira në dritë, bukuria e saj rrezaton si fundi i një tuneli…

Kur Gëzimi sheh fëmijët përlotet menjëherë dhe thotë “edhe këtë ma bëtë”

Doktoresha vjen në sallë dhe i shpjegon Elvis Naçit e Sidrit Bejlerit që i janë bërë të gjitha analizat dhe i janë dhënë të gjitha mjekimet e nevojshme. 

Doktoresha i kërkon Gëzimit që të mundohet të vijojë kurimin dhe të mos e lërë pas dore.

Por kjo nuk është arsyeja se përse shqiptarët u ngritën në këmbë. Lotët dhe dhimbja e madhe e Silvës 12 vjeçare më në fund do të mund të largohen. Bashkëshortja e Elvis Naçit, Fatma, i tregon vogëlushes se shqiptarët i kanë blerë një shtëpi të re asaj dhe familjes. Silva qan dhe nuk di çtë thotë.

Fatma: Ornela, Silva… kjo është shtëpia juaj e re, shiheni sa e bukur është.

Ornela përlotet, nuk di çfarë të thotë.

Fatma: Silva, babin do ta presim këtu. Ja tek janë çelësat e shtëpisë tuaj të re. Me ndihmën e të gjithë shqiptarëve u bë e mundur kjo shtëpi dhe këtu do e presim babain. Silva, shpresoj të kesh më shumë vullnet dhe dëshirë tani, që të arrish të bësh ëndrrën realitet, të bëhesh mësuese.

Ornela: Unë kurrë nuk do ta bëja këtë… ju falënderoj nga zemra, ju shpërbleftë Zoti.

Gëzimi: Zoti ju shpërbleftë, sepse unë nuk kam me se. Ju falënderoj thellë nga zemra.

Naçi: Ti Gëzim ke një familje të mirë dhe e meritoni një shtëpi, që fëmijët tuaj të rriten si të gjithë. Keni fëmijë të mrekullueshëm.

Gëzimi: Pa ju nuk do kisha bërë diçka të tillë. Ju falënderoj juve dhe të gjithë shqiptarëve

Naçi: Fëmijët e tu kanë të drejtë të jetojnë mirë, jo të kenë frikë se pranë krevatit u del gjarpëri.

Elvisi merr mënjanë Silvën për një minutë në shtëpinë e re. 12 vjeçarja tha se nëse do të kishte sado pak mundësi, do dëshironte të bëhej mësuese.

Naçi: Silva ta gëzosh shtëpinë e re. Shumë shqiptarë u prekën kur dëgjuan ato fjalë të dhimbshme që ti the. Tani me këtë shtëpinë e re, do të bëhesh mësuese matematike?

Silva: Po do të bëhem (qan), do të mësoj shumë… i falënderoj shumë ata shqiptarë që na kanë mundësuar këtë shtëpi, që edhe unë të jetoj si gjithë të tjerët, që edhe babi të jetë më mirë

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco